Presidenca – Gjykatës Kushtetuese: Hiq pezullimin e dekretit të Begajt dhe shpall datën për zgjedhjet në Tiranë

Institucioni i Presidencës e ka dorëzuar ditën e martë parashtrimin dhe arsyetimin juridik të dekretit të 1 tetorit pranë Gjykatës Kushtetuese.
Presidenca ka parashtruar në Gjykatën Kushtetuese qëndrimin në lidhje me dekretin që i ka pezulluar për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, në kuadër të gjithë procesit të Erion Veliajt për shkarkimin e tij si kryebashkiak i kryeqytetit.

Seanca në Kushtetuese që do të shqyrtojë shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt do të mbahet më datë 31 tetor, dhe Presidenca si palë e interesuar, ka dërguar parashtrimin në këtë gjykatë në lidhje me dekretin e zgjedhjeve.

Presidenca, në parashtrimet e dërguara, i kërkon Gjykatës Kushtetuese që në datë 31 tetor kur do të mbahet seanca për Erion Veliajn, të heqë pezullimin e dekretit për zgjedhjet në Tiranë dhe të lejojë mbajtjen e tyre.

Po kështu, Presidenca i kërkon gjithashtu Gjykatës Kushtetuese që ta shpallë ky institucion datën e re të zgjedhjeve në Tiranë, dhe të jetë jo më afër se 30 ditë nga shpallja e vendimit të GJK.

Presidenti i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese edhe rrëzimin ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës dhe të urdhërojë KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve në kryeqytet.

Institucioni i Presidentit të Republikës, në cilësinë e palës së interesuar, i kërkon Gjykatës Kushtetuese:

1.             Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;

2.             Të vendosë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 heqjen e pezullimit për dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;

3.             Të vendosë në përfundim të seancës rrëzimin e kërkesës së Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës;

4.             Për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne