Presidenti Thaçi: Jordania kontribut në konsolidimin e shtetit të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u takua të shtunën me mbretin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II bin Al-Hussein, të cilin e falënderoi për njohjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Jordanisë për shtetin e Kosovës.

Duke folur për njohjet dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës, presidenti Thaçi vlerësoi lart kontributin që ka dhënë Jordania në këtë drejtim.

“Jordania ka qenë prezentë në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe ka ndihmuar në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit të Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se është e rëndësishme që të thellohet edhe më bashkëpunimi në mes të dyja vendeve, sidomos në fushat të cilat janë në interes të dyanshëm.

“Vendet tona ndajnë interesa dhe prioritete të njëjta për paqe të qëndrueshme, për zhvillim dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë”, tha presidenti Thaçi.

Në këtë drejtim është e domosdoshme thellimi i bashkëpunimit të mëtejshëm në përgjithësi, në veçanti në fushën e sigurisë.

Nga ana e tij, mbreti Al-Hussein falënderoi presidentin Thaçi për vizitën e tij në Jordani, dhe se e vlerësoi si të domosdoshme në thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në atë të arsimit, kulturës dhe të sigurisë.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi ka marrë pjesë edhe në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror për Lindje të Mesme dhe Afrikë të Veriut, që këtë vit organizohet nga Mbretëria Hashemite e Jordanisë.

Në prag të këtij forumi, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me shumë krerë të shteteve të ndryshime të botës, me të cilët ka biseduar për promovimin dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne