Presidentja e Kosovës deklarohet pas reagimeve mbi vizitën e kryeministrit Kurti në Maqedoninë e Veriut!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar lidhur me reagimet pas vizitës dhe pritjes së kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut javën e kaluar, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani në një konferencë për media pas vizitës së Komunës së Dragashit, tha se Maqedonia e Veriut është një ndër fqinjët më të çmuar të Kosovës dhe e cila e ka njohur pavarësinë e Kosovës në momentet më kritike.

Osmani sa i përket pritjes në Tetovë të kryeministrit Kurti ku u shfaq një flamur i “Shqipërisë Etnike”, tha se në tubime askush nga organizatorët nuk e kontrollon çdo qytetarë se çfarë ka në duar.

Ajo tha se këtë veprim e sheh si “lëvizje e një qytetari dhe jo si diçka të organizuar”.

“Nëse institucionet e Maqedonisë së Veriut kanë ndonjë shqetësim e vetmja kërkesë që ne kemi si institucione të Republikës së Kosovës është që gjithçka të bëhet në përputhje me standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, standardet më të larta ndërkombëtare të mbrojtjes së komuniteteve joshumicë dhe duke respektuar gjithnjë rolin shtet-formues që komuniteti shqiptar ka pasur në ndërtimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut, integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut”, theksoi Osmani.

Ajo tha se ka pasur një vizitë të shkëlqyeshme në Maqedoninë e Veriut, për të cilën e falënderoi presidentin Pendarovski për pritjen.

Osmani tha se një gjë e tillë është “një keqkuptim i vogël” por kur ka vullnet nga të dyja palët mund të tejkalohet duke ditur që institucionet e Kosovës janë të interesuara “vetëm dhe vetëm për relacione pozitive”.

Ajo tha se ka kërkuar informacione edhe nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kosovë se mos kanë pranuar ndonjë kërkesë zyrtare, por shtoi se nuk ka pasur diçka të tillë.

Në fund, Osmani tha se prioritet mbi prioritetet duhet të mbetet përmirësimi i relacioneve Kosovë-Maqedoni e Veriut, ku nuk ka pasur ndonjëherë keqkuptime as në të kaluarën.

Pas vizitës së kryeministrit kosovar Albin Kurti më 11 gusht në Maqedoninë e Veriut, me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe atij të Tetovës, Bilall Kasami, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nëpërmjet një reagimi theksoi se organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht, duke potencuar se “theksimi i ikonografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteteve të mëdha po nxit urrejtje dhe intolerancë etnike”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne