Privatizimi i ish-kompleksit Partizani/ GJKKO pret ta marrë sot në pyetje, a do të pranojë ish-kryeministri Berisha?!

GJKKO pritet të marrë sot në pyetje ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar një seancë të posaçme në orën 14:00, ku Berisha do të merrej në pyetje si person nën hetim.

Ndërsa ende nuk ka një vendim nga Parlamenti dhe Berisha ka deklaruar më herët se nuk e njeh vendimin e Gjykatës, ende nuk dihet nëse do t’i përgjigjet kësaj kërkese.

Gjykata e cilëson si të njoftuar Berishën për vendimin dhe më pas është e detyruar të zbatojë procedurën. Pas këtij momenti, ish-kryeministrit Berisha është ai që vendos nëse do të jetë i pranishëm apo jo në seancë ose mund t’i drejtohet Gjykatës së Apelit për të kundërshtuar vendimin. Dje në një reagim Berisha tha se do ta respektojë deri në fund Kushtetutën e vendit, por në rastin konkret kur ndaj tij është ngritur një masë sigurie nga gjykata. Mes të tjerash ai shtoi se vendimi është ndërmarrë në shkelje të plotë pasi një deputet nuk mund të ndiqet penalisht dhe as nuk mund të merret ndaj tij asnjë masë sigurie, pa autorizimin e Parlamentit.

Seanca është caktuar ndërkohë që dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi ndodhet prapa hekurave për privatizimin e ish-kompleksit Partizani më shumë se një dekadë më parë, ku janë ndërtuar disa kulla. Ndaj Berishës, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe bllokimi i pasaportës për të dalë nga vendi./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne