Procesi i Berlinit, sot do të zhvillohet Ministeriali i Ministrave të Ekonomisë

Në kuadër të procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Shqipëri më 16 tetor 2023, Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizon sot në Tiranë, Forumin e Ministrave të Ekonomisë me titull, “Tregu i përbashkët rajonal – një hap drejt Tregut Unik të BE”
Forumi do të hapi punimet në orën 09:00.

Fjalën hapëse pritet ta mbajnë Kryeministri Edi Rama, Ines Muçostepa, Presidente e Unionit të Dhomave të Tregtisë në Shqipëri dhe Olivier Becht, Ministër i tregtisë me jashtë dhe ekonomisë në Francë. Punimet, sipas axhendës së publikuar janë të ndara në disa panele, dhe fundi i forumit pritet të jetë në orën 18:30.

Forumi do të mbledhë së bashku ministrat e Ekonomisë të Procesit të Berlinit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe partnerë të tjerë të Procesit të Berlinit, me fokus avancimin e tregut të përbashkët rajonal, për të nxitur zhvillimin e rritjes ekonomike të rajonit dhe për ta sjellë atë më afër BE-së.

Ky forum pritet të reflektojë mbi arritjet, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e këtij plani dhe avancimin e agjendës së integrimit rajonal nëpërmjet mbështetjes në kuadër të Procesit të Berlinit, si një instrument shumë i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian. Në këtë takim, do të diskutohet mbi lehtësimin e tregtisë dhe reduktimin e barrierave, integrimin e tregjeve, rritjen e bashkëpunimit rajonal, integrimin e sistemeve të pagesave të rajonit dhe përgatitjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor për një integrim eventual në Eurozonë.

Gjithashtu, diskutimet do të përqendrohen edhe në integrimin e përshpejtuar dhe qasjen e hershme në Tregun Unik të BE-së. Në këtë kuadër, do të diskutohet edhe lidhur me sfidat kryesore për përmirësimin e konvergjencës ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE, në mënyrë që të përcaktohet orientimi politik dhe hapat konkretë, në kuadër të Procesit të Berlinit, sa i takon mbështetjes që duhet të marrin vendet e rajonit./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne