Projektkodi Civil i Kosovës sipas këndvështrimit evropian dhe nacional

   Av. Faik MIFTARI

         Para ca ditësh Bashkimi Evropian nëpërmes zyrës së tij në Kosovë ka paralajmëruar se ”mosmiratimi i Kodit Civil do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit”.

Më tutje në reagimin e zyrës së Bashkimit Evropian përveç tjerash përqendrohet me theks të posaçëm në kategoritë e caktuara  siç janë: gratë, fëmijët, personat LGBTI për të cilët thekson: ”Të drejtat e fëmijëve janë avancuar në tekst duke përcaktuar se organi kompetent(gjykata) gjithmonë vendos në interesin e tyre. Gjithashtu, janë sqaruar dispozitat lidhur me trajtimin e fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore, si dhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeçare. Pasuria e përbashkët e bashkëshorteve do të jetë e barabartë(50% me 50%). Për t’u shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeç. Gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave”.

Bashkimi Evropian nga një anë thekson se Kodi Civil është me rëndësi të madhe për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik  të Kosovës, ndërsa në anën tjetër i tërë përqendrimi i Bashkimit Evropian  fokusohet tek gratë, fëmijët dhe persona LGBTI. Nga kjo nuk  po mund të kuptojë se në çfarë aspekti kategoritë e theksuara, gratë, fëmijët dhe personat LGBTI do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, dhe se  me avancimin e drejtave të tyre, Kosova do të përjetojë zhvillim ekonomik   dhe do të lulëzojë në të gjitha aspektet  jetësore.

Kur jemi te Bashkimi Evropian, dua të nënvizojë se çështjet civile janë të rregulluara kryesisht në nivele nacionale dhe janë në kompetencat e shteteve nacionale, me ç’rast kemi një divergjencë të rregullimit të drejtës civile sipas legjislacioneve përkatëse nacionale të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ka vetëm pak akte juridike  në nivelin e Bashkimit Evropian përmes së cilave janë rregulluar një numër të çështjeve civile dhe atë për një numër të caktuar të shteteve anëtare përmes bashkëpunimit të përforcuar sipas Traktatit të Bashkimit Evropian i cili nënkupton procedurën sipas së cilës lejohet minimum të jenë përfshira 9 shtete të BE-së të kenë bashkëpunim në një fushë të caktuar të drejtës civile, pa qenë të përfshira shtetet tjera anëtare të Bashkimit Evropian.

Sipas kompetencës së përbashkët e cila përfshin minimum 9 shtete anëtare të BE-së, janë rregulluar vetëm disa fusha të së drejtës civile në nivel të BE-së, si p.sh. kontratat, transaksionet dhe mbrojtja e konsumatorëve, me anë të së cilës harmonizimi i këtyre ligjeve në nivel të BE-së, ka mundësuar qarkullimin lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në Bashkimin Evropian.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në vend se të fokusohet në ato fusha të së drejtës civile që janë të harmonizuar në kuadër të kompetencës së përbashkët në nivel të Bashkimit Evropian, ajo është fokusuar në avancimin e të drejtave të kategorive të caktuara sikurse janë gratë, fëmijët dhe personat LGBTI, për të cilat kategori, këto të drejta janë të rregulluara në nivele nacionale të shteteve anëtare të BE-së dhe jo në nivel të Bashkimit Evropian.

Ministria e Drejtësisë si propozuese e Projektkodit Civil të Kosovës, në vend se të hartojë një Projektkod Civil që do të ishte më i qartë, më i shkurtër dhe më kuptimplotë,  ka bërë një përmbledhje të pesë ligjeve aktuale në fuqi në Kosovë, me disa ndryshime dhe plotësime. Dua të shtoj se shumë shtete evropiane më të zhvilluara akoma nuk kanë arritur të përpilojnë një Kod Civil, porse drejtën civile i kanë të rregulluara sipas ligjeve përkatëse për fushat të caktuara.

Projektkodi Civil i Kosovës  përbëhet nga pesë (5)libra, katërmbëdhjetë kapituj(14) dhe njëmijë e gjashtëqind e tridhjetë (1630) nene. Projektkodi Civil është kodi i parë që është i ndarë në libra të veçantë tematik, të cilat janë të radhitura si në vijim: 1. Libri i parë – Pjesa e Përgjithshme 2. Libri i dytë – Detyrimet; 3. Libri i tretë – Pronësia dhe të Drejtat tjera Sendore 4. Libri i katërt – Familja dhe 5. Libri i pestë – Trashëgimia .

Edhe me këtë Projektkod Civil nuk janë arritur të rregullohen të gjitha çështjet e fushës civile, dhe se është lërë mundësia që këto  të rregullohen me ligje të veçanta jashtë Projektkodit Civil, porse ato nuk mund të jenë në kundërshtim me parimet e Projektkodit Civil.  Mangësia e Projekt Kodit Civil është se në disa fusha të caktuara të së drejtës detyrimore, do të mbetet në fuqi akoma Ligji aktual i marrëdhënieve detyrimore, si p.sh. nenet 217 deri 244, neni 381,382,385, nenet 700-725, 785-789, 804-833, 834-837,848-867, 880-900, 901-905, 918-967, 1032,1046, neni 1058 par. 3.

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Drejtësisë si propozuese e Projektkodit Civil të Kosovës, me këtë Kod vetëm se i ka implementuar rekomandimet e Bashkimit Evropian për  avancimin e drejtave të kategorive  të caktuara, gjersa ky Projektkod Civil është përpiluar ad-hock dhe  është shumë larg drejt  një Kodi Civil të mirëfilltë.

Në Projektkodin Civil të propozuar nuk ka ndryshime të mëdha me Ligjet aktuale në fuqi në Kosovës sa i përket drejtës detyrimore, sendore, pronësore, familjare dhe trashëgimore, përveç se Librit të parë – Pjesa e përgjithshme që mund të themi se është një ndryshim  i theksuar dhe i veçantë.

Me propozimet e reja në Projektkodin Civil të Kosovës, lejohet martesa në mes pjesëtarëve të gjinisë së njëjtë, është hequr kontrata paramartesore, është hequr mundësia e martesës në moshën 16 vjeçare me vendim të Gjykatës, mosha e martesës nën 18 vjeçare nuk lejohet, me rastin e shkurorëzimit  ndarja e masës pasurore është në proporcion 50% -50% e barabartë në raport burrë e grua, është barazuar kontributi gjatë jetës  bashkëshortore, mendimi i fëmijës që nga mosha 6 vjeçare  merret parasysh nga Gjykata kur ka të bëjë me interesin e fëmiut, mendimi i fëmiut prej moshës 6 vjeçare është i obligueshëm, ndërsa nën moshën 6 vjeçare mendimi i fëmiut merret në rastet kur Gjykata e konsideron të nevojshëm, pëlqimi i fëmiut për adoptim është ulur nga mosha 14 vjeçare në moshën 10 vjeçare.

Gjersa në njërën anë përveç martesës Projektkodi Civil i jep status të barabartë bashkëjetesës në mes burrit dhe gruas,  e cila është kundër parimeve fetare(të cilës do fe monoteiste), morale, zakonore dhe traditës së popullit tonë, me të cilën martesa tradicionale ka hyrë në një krizë të thellë, si rezultat i së cilës është  shtimi enorm i divorceve, në tjetrën anë me Projektkod Civil tani mundësohet martesa në mes gjinisë së njëjtë, të cilët gjer tani kanë bashkëjetuar, po ja tani kjo bashkëjetesë duhet të kurorëzohet, që të jetë legjitime.

Nga njëra anë mosha e martesës tani është kushtëzuar me arritjen e moshës 18 vjeçare, dhe është hequr martesa në moshën 16 vjeçare  për raste të arsyeshme dhe specifike me vendim të Gjykatës dhe pëlqim të prindërit apo kujdestarit ligjor dhe qendrës sociale, ndërsa në anën tjetër mendimi i fëmijët ulet tani në moshën 6 vjeçare dhe bëhet i obligueshëm për Gjykatën, ndërsa pëlqimi i fëmiut për adoptim ulet nga mosha 14 vjeçare në moshën 10 vjeçare.

Qeveria e Kosovës,gjegjësisht Ministria e Drejtësisë ka theksuar  se gjatë përpilimit të Projektkodit  Civil të Kosovës janë inkorporuar propozimet nga aktorët relevant të konsultuar, njohësit e fushës së drejtës civile, gjyqtar, avokatë, noterë,  aq sa kanë qenë të nevojshme.

Në këtë aspekt Ministria e Drejtësisë aspak nuk ka qenë transparente, pasi nuk e bën  publike se cilët aktor relevant kanë qenë të konsultuar, cilat kanë qenë propozimet,sugjerimet, rekomandimet e tyre, dhe cilët prej tyre janë pranuar apo inkorporuar në Projektkod Civil, “aq sa kanë qenë të nevojshme” sipas Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në përfundim të këtij vështrimi do t’i lejë në vlerësim të lexuesve  të perceptojnë se sa me të vërtetë ky Projektkod Civil i Kosovë  do të jetë në shërbim të zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik të Kosovës, dhe se avancimi i drejtave të kategorive të caktuara , grave, fëmijëve dhe personave LGBTI do të shpijnë Kosovën drejt standardit më të lartë jetësor dhe lulëzimit ekonomik të saj.

06.03.2022                                                         

        

        

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne