Projektligji për turizmin/ Financat: Individët që japin dhoma me qira nuk do të regjistrohen si biznes

Çdo individ që jep dhoma, apartamente apo vila me qira përmes AirBnB apo Booking për qëllime turistike, nuk do të ketë detyrimin ligjor për t’u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si strukturë akomoduese, pasi ofron aktivitet sezonal (2-3 muaj gjatë verës apo një periudhë në festat e krishtlindjeve).

Ministria e Financave propozoi këtë lehtësi në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, duke ndryshuar draftin fillestar të projektligjit për turizmin, që parashikonte regjistrimin e çdo njësie në QKB.

Detyrimin për t’u regjistruar në QKB, do ta kenë vetëm sipërmarrësit që kanë bllok apartamentesh, ata që kanë “Struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore” dhe “Hoteli i shpërndarë” i cili është i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik.

Individët apo qytetarët që i përkasin kësaj kategorie do të duhet të marrë në ministrinë e Turizmit një certifikatë kategorizimi sipas standardeve të dhomës, apartamentit apo vilës.

“Individi qiradhënës për kategoritë, dhomë, apartament apo vilë përpara ushtrimit të aktivitetit paraqet pranë ministrisë së Turizmit kërkesën për certifikatë kategorizimi sipas kritereve të përcaktuara. Ne e gjejmë pak të shpejtë regjistrimin e këtyre kategorive si një biznes. Ne kemi shumë individë që japin ambientet e tyre si dhomë, vilë apo apartament me qira dhe nuk i japin me qëllime turizmi gjithë kohës dhe për një periudhë të caktuar i japin me qira. Propozimi i Ministrisë së Financave vetëm për ata individë që kanë një apartament, kanë një vilë, apo një dhomë dhe e japin me qira për qëllime turistike, të mos regjistrohen në QKB si biznes, por ti japi apartamentet me qira në periudha të caktuara, të paguaj detyrimet tatimore nga këto të ardhura një herë në vit nëpërmjet deklaratës të të ardhurave personale, pa qenë nevoja të pajiset me një NIPT dhe të marrë ngarkesa të tjera fiskale siç mund të jetë pagesa e kontributeve apo edhe të tjera detyrime që i shtohen nga pushteti vendor. Pra për këtë kategori të bëhet ky lehtësim”, tha zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjero.

Drafti parashikon që nëse këta qytetarë japin pronën me qira pa marrë certifikatën e klasifikimin gjobiten nga 20-50 mijë lekë. Në këtë kategori bëjnë pjesë kryesisht familjet që nuk ushtrojnë aktivitet në fushën e turizmit përgjatë gjithë vitit, por një pronë që kanë e japin me qira për pushuesit vetëm në sezonin verorë.

Me miratimin e ndryshimeve në projektligjin për turizmin, gjoba për strukturat akomoduese që nuk deklarojnë në ministri numrin e vizitorëve, të netëve të qëndrimit, shtetësinë e tyre, rezidencën, gjininë dhe moshën u ul nga 150 mijë në 100 mijë lekë./Monitori

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne