Kreu demokrat Sali Berisha, iu drejtua me një fjalim protestuesve të mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa tha se gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale. Berisha tha se spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh falë Edi Ramës.
“Të mbledhur sot në Tiranë, nga të katër anët e vendit, nga të katër anët e dheut, diaspora dhe kudo që janë shqiptarët. Plot dhimbje e sakrifica të pamerituara kanë qenë për opzitën dhe Shqipërinë 11 vitet e fundit të Rilindjes së Edi Ramës. Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.
Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan. Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre. Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiparë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës. Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.
Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre. Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre. Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.
Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë. Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament. Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd. Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria. Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund. Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin. Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale”, tha Berisha./tpz