Protesta e opozitës, sot bllokohen 12 akse rrugore, Basha: Largimi i Ramës është kusht i panegociueshëm

Opozita do të përshkallëzojë sot aksionin e saj të mosbindjes civile, duke bllokuar rrugët kryesore në 12 qarqe të vendit.

Në koordinim të plotë me aleatët e saj, Partia Demokratike ka angazhuar strukturat dhe u ka bërë thirrje qytetarëve t’i mbështesin në të 12 protestat 120-minutëshe që do të zhvillohen sot, në orën 18:00, në të gjithë vendin.

Njësoj si një javë më parë, në krye të protestave do të jenë ish-deputetët e opozitës dhe krerët e partive të koalicionin opozitar, ndërkohë që protesta do të zgjasë për 2 orë.

Përmes këtij përshkallëzimi të mosbindjes civile, opozita do të kërkojë edhe një herë reflektim nga Kryeministri Rama përballë kërkesave për krijimin e një qeverie tranzitore për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Strukturat e PD-së në të gjithë vendin janë njoftuar të mbështesin protestat në nivel qarku, ndërkohë që pritet që për 120 minuta të zhvillimit të protestave të opozitës qarkullimi i mjeteve në të gjithë vendin të jetë i paralizuar.

TAKIMI

Lidhur me protestat e sotme, që do të mbahen në 12 akset kryesore të vendit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me aleaten e tij të LSI-së, Monika Kryemadhi.

Basha deklaroi për mediat se opozita është e unifikuar në qëndrimin e saj dhe paralajmëroi qeverinë dhe Kryeministrin Rama se mosbindja civile do të përshkallëzohet në vazhdim.

“Ne do të vazhdojmë aksionin tonë në të gjitha planet. Në orën 18:00 do të nisë aksioni në 12 qarqet e vendit për bllokimin e akseve kryesore si një intensifikim, si një përshkallëzim i mosbindjes civile.

Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e opozitës së bashkuar dhe koalicionit tonë politik, koalicionit më të madh, maxhorancës së re numerike, politike dhe morale të vendit: Largimi i Edi Ramës është kusht i panegociueshëm për të hapur rrugën e dialogut politik që do të çojë drejt qeverisë tranzitore”, deklaroi Basha.

Përpara protestave që do të mbajë në të gjithë vendin, opozita do paraqesë platformën për detyrat e qeverisë tranzitore.

Qëllimi kryesor i kësaj qeverie do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve të lira të ndershme.

“Do të shpalosim bashkë me koalicionin tonë opozitar detyrat e qeverisë tranzitore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndërkohë po punojmë intensivisht për programet tona respektive politike dhe ekonomike për ofertën tonë për shqiptarët; jo vetëm për ta nxjerrë vendin nga kriza, por për t’u dhënë atyre sigurinë, liritë, mundësitë për një jetë dinjitoze me mundësi për punësim dhe mirëqenie për të gjitha”, sqaroi kreu i PD-së.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne