Shënime nga Uzbekistani (I)

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Kryetitulli mund të ishte edhe “Në gjurmët e qytetërimit të humbur”. Mbase do të ishte më i përshtatshëm. Por nuk mund të quhej “Iluminizmi i humbur” si në studimet e Frederick Starr, apo ashtu siç kërkohet kohët e fundit në Maturidi ose Turkistan. Sepse Iluminizmi (ndriçimi) është një koncept që e shkëput Perëndimin nga tradita e tij, nuk njeh asnjë racionalizëm tjetër përveç udhëzimit të mendjes ose një hartë rrugore që e sjell Perëndimin në ditët e sotme. Edhe dy luftërat botërore më të përgjakshme, me të cilat është përballur njerëzimi, janë pjellë e këtij ndriçimi. Por ‘qytetërimi i humbur’ që ne kërkojmë është një hartë tjetër rrugore që nuk shfrytëzon dhe që në bosht ka drejtësinë.

Në këtë program do të flas për vizitën time në Uzbekistan. Javën e kaluar ishim në Uzbekistan me rastin e simpoziumit të zhvilluar me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Qendrës së Mendimit dhe Kërkimeve në Ankara (ADAM), Universitetit “Sabahattin Zaim” dhe Universitetit Kombëtar të Uzbekistanit.

Kur njeriu shkon në tokat ku kanë jetuar të parët e tij para 1 mijë vjetësh e ndjen veten sikur ka marrë një ftesë prej stërgjyshërve e stërgjysheve. Shkon me pak dhimbje të shkaktuar nga ndarja 1 mijë vjeçare, me pak mall dhe pak kureshtje.

Para se të shkoja desha të lexoj pak për rajonin. Por në veçanti për Uzbekistanin dhe në përgjithësi për Azinë Qendrore punimet shkencore kujtimet dhe shënimet e udhëtimeve në turqisht janë aq të kufizuara saqë të duket se nuk po bëni një kërkim paraprak për atdheun e të parëve, por për Meksikën. Edhe shumica e burimeve nuk ekziston në libraritë e Ankarasë. Por në anglisht ka aq shumë studime (punime), duke filluar nga “A Historical Atlas of Central Asia” e Yuri Bregel.

Turkistani

Ata që kanë vetëdije historike në Turqi dhe Uzbekistan theksojnë shpesh se hapësira e gjerë gjeografike që sot quhet Republikat Turke në të shkuarën quhej Turkistan. Pas pushtimit sovjetik, sovjetikët bënë emërtime të ndryshme për të copëtuar këtë rajon. Dhe më pas edhe shprehja Turkistan u harrua në një masë të gjerë në këtë hapësirë gjeografike, për fat të keq u bë që të harrohet.

Ne si turq u njohëm me botën turke në periudhën e të ndjerit Ozall, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Kujtimi i njërit nga pjesëmarrësit gjatë këtij udhëtimi tregon se sa e rëndë ka qenë situata. “Përpara periudhës së Ozallit në një dokumentar të japonezëve për Rrugën e Mëndafshit, ku tregohej jeta e kazakëve, kirgizëve dhe uzbekëve, u çudita shumë kur pashë njerëz që falnin namazin e merrnin avdes. Me ndikimin edhe të arsimit që kishim marrë (në Turqi), unë kujtoja se këto shoqëri kishin ekzistuar në një periudhë të historisë, por me kalimin e kohës ishin zhdukur. Por në të vërtetë këto shoqëri ekzistonin akoma dhe vazhdonin të jetonin”.

Padyshim që të njohësh të shkuarën dhe të dish ato që janë jetuar është shumë e rëndësishme. Po pra shprehja Turkistan në të kaluarën përdorej për të shprehur hapësirën gjeografike, ku jetonin këto shoqëri në të kaluarën, në mënyrë që të përfshijë edhe rajonin që sot njihet si Turkistani Lindor. Por megjithëkëtë, nënvizimi i vazhdueshëm i kësaj gjendjeje nuk na çon neve më përpara. Një diçka e tillë nuk ka ndodhur vetëm në Bashkimin Sovjetik. Në procesin e krijimit të shtet-kombeve në një farë mënyre këto copëtime kanë ndodhur në të gjitha vendet. Duhet të themi se në rajonin, ku njëherë e një kohë cilësohej si hapësira gjeografike osmane, sot ka 52 shtete. Pas gjithë atyre proceseve që janë jetuar, në vend që të vajtohet, duhet fokusuar në mënyrën se si mund të zhvillohen marrëdhëniet e shumanshme. Ajo që ka kuptim sot është të bëjmë përpjekje për ti parë bashkëjetesat historike si mundësi bashkëpunimi të shumanshëm, ashtu siç kanë bërë anglezët me Komonuelthin (Common Wealth) dhe francezët me Komunitetin e Vendeve Frankofone.

Arkitektura

Me të zbritur në Tashkent, kryeqytetin e Uzbekistanit na pret një shi që bie trishtueshëm dhe një ditë e ëmbël pranvere. Më kaplon një ndjenjë që të parët tanë na presin me sy të përlotur me ndjenjat e ndarjes një mijë vjeçare dhe ribashkimit.

Duke shkuar nga aeroporti në hotel dhe përgjatë gjithë udhëtimit në Tashkent, Semerkant dhe Buhara gjëja e parë që të bie në sy është se Uzbekistani është një vend shumë i gjelbër. Menjëherë në sy të bien rrugët e gjera, pemët e larta, parqet dhe struktura historike e mbrojtur shumë mirë.

Nuk do ta ekzagjeroja nëse them se në pothuajse të gjitha vendet që shëtita nuk pashë ndërtesa që e kalonin lartësinë e pemëve. Zonat historike të Tashkentit, Semerkantit, Buharas ishin si një muze i hapur në natyrë. Nuk kishte asnjë strukturë që të bezdis, të shqetëson ose të vret sytë. Kur njeriu e sheh këtë e kupton edhe më mirë se çfarë ka humbur në Turqi.

Ndërtesat uniformë, të ftohta, pa stil dhe pashpirt që kanë mbetur nga periudha sovjetike, të cilat ne i pamë vende-vende, krijojnë një panoramë shqetësuese dhe prish strukturën tradicionale të vendit. Por kjo pamje po ndryshon me ndërtimet e reja. Ndërtesat e reja janë në përshtatje me strukturat historike, saqë në pamje të parë nuk kuptohen nëse këto ndërtesa janë të reja apo historike.

Shkenca dhe qytetërimi

Në Uzbekistan padyshim që ajo që të pëlqen më shumë janë medresetë. Kur sheh se sa shumë rëndësi i është dhënë arsimit, shkencës, kulturës dhe qytetërimit në këto toka gjatë në shekullin e 15-të dhe sa shumë rrugë është përshkuar, atëherë njerëzve si puna jonë, që mendojnë se arsimi dhe zhvillimet shkencore kanë të bëjnë vetëm me Perëndimin, sytë sa vjen dhe hapen akoma edhe më shumë. Kur pamë Medresenë Kukeldash të mbetur nga shekulli i 16-të, Profesor Doktor Mehmet Emin Goktash na thotë: “Në Perëndimin e Shekullit të 16-të nuk ka një ndërtesë arsimi kaq madhështore, kaq të pajisur dhe me kapacitet”.

Kur sheh Sheshin e mahnitshëm “Registan” në Semerkant, të vjen të rrish atje me ditë të tëra e të sodisësh këtë pamje të mrekullueshme. Në vitin 2001 sheshi u përfshi në listën e Trashëgimisë Botërore të Kulturës nga ana e UNESCO-s. Në të vërtetë sheshi përbëhet nga Kompleksi dhe medresetë “Ulug Bej”, “Shirdor” dhe “Tilkari”. Medreseja “Ulug Bey” u ndërtua në vitin 1420 nga Sulltani i 4-t i Perandorisë së Timurit, Astronomi Ulug Bej. Kjo medrese, ku ka dhënë mësim matematike dhe astronomie edhe Ulug Bej, shihet si një nga universitetet më të rëndësishme të asaj epoke. Madhësia dhe arkitektura e të tria medreseve është shumë spikatëse nga aspekti i rëndësisë që i jepej arsimit dhe shkencës në atë kohë. Nga qindra medrese në Uzbekistan, vetëm në medresenë Kukeldash në Tashkent dhe Mir Arap në Buhara vazhdon të jepet mësim. Sigurisht që bashkë me këtë njeriu brengoset, por kur e di se në asnjë prej medreseve në Turqi nuk jepet mësim atëherë brengosest edhe më shumë.

Kurse universitete historike si Oxfordi, Harvardi vazhdojnë mësimdhënien në ndërtesa historike. Për të mos humbur vazhdimësisë, traditën, historinë dhe vetëdijen e një qytetërimi rrënjësor, ashtu si në Perëndim, edhe në Uzbekistan dhe Turqi ndërtesat e medreseve duhet të ndërlidhen më shumë me universitetet dhe të paktën një pjesë e tyre duhet t’i përfitohen përsëri sistemit arsimor.

Si merr fund në mënyrë tragjike jeta e matematikanit dhe astronomit më të rëndësishëm të epokës, Ulug Bej, i cili ka lënë shumë vepra dhe ka bërë shumë zbulime në Azinë Qendrore? Këtë do e shpjegojmë javën e ardhshme së bashku me përshtypjet e tjera nga udhëtimi në Uzbekistan.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne