Shqiperia Sociale

Protesta e Opozitës

Është zhvilluar protesta e tretë kombëtare e opozitës së bashkuar me protestues të shumtë që janë grumbulluar përpara Kryeministrisë. Banorët e Astirit kanë qenë protestuesit e parë që kanë mbërritur në sheshin para godinës së kreut të qeverisë duke mbajtur në duar një banderolë të madhe me mbishkrimin “Qeveri e krimit”.

Në ndryshim nga protestat e kaluara, këtë herë shumica e protestuesve është parë të jenë pajisur me flamuj të Partisë Demokratike. Punonjësit e policisë janë pozicionuar përqark kryeministrisë duke krijuar kordonin rrethues para kryeministrisë. Në gatishmëri janë vënë edhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, punonjësit e Gardës dhe të RENEA-s.

Domate, qumësht dhe lakra janë hedhur nga protestuesit në drejtim të godinës së kryeministrisë, si simbol reagimi ndaj rritjes së çmimit të TVSH-së për produktet bujësore. Po ashtu, sikurse në çdo protestë të mëparshme nuk kanë munguar shashkat, tymueset dhe boja.

Protesta e sotme është e 9-ta në radhë e organizuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në ndryshim nga protestat e mëparshme, pjesëmarrësit mbanin në duar edhe flamuj të PD-së, veç pankartave me thirrje kundër qeverisë. Përmes protestës opozita e bashkuar përsërit kërkesën e saj për largimin e kryeministrit Edi Rama, për krijimin e një qeverie tjetër tranzitore dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të ndershme dhe demokratike.

Me mijëra protestues janë mbledhur për të protestuar pasditen e sotme para kryeministrisë. Një pjesë e tyre, të cilët kanë marrë produkte ushqimore në shenjë proteste për shkak të mallrave stok të mbetura të pashitura, kanë goditur me domate në drejtim të kryeministrisë.

Të tjerë protestues kanë ndezur tymuese dhe kanë hedhur shashka duke shkaktuar kaos në bulevard.

Kreu i PD, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës tha se për kryeministrin Rama ka rënë muzgu i zi.

“Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë sonte. Ja ku jeni, ja ku jemi më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë, krimit dhe korrupsionit.

Bashkë me këtë vërshim të paparë dhe padëgjuar për Tiranën dhe bulevardin, me këtë bashkim zemrash, mendjesh dhe vullnetesh, burrash dhe grash fisnikë. Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit, të padrejtësive dhe krimeve më të përbindshme.

Një njeri që hyn në histori si njeriu që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, në shtëpitë e fëmijëve të tyre, që nisi ruspat për të prishur shtëpitë dhe për tu pasuruar.

Asgjë nuk e ndal më këtë bashkim. Populli është i vendosur, Shqipëria është e bashkuar. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e gegëve dhe toskëve, e të djathtës dhe të majtës që i thotë ndal shporës së Ramës dhe bandës së tij”, tha Basha.

Mediat ndërkombëtare vazhdojnë t’i bëjnë jehonë protestës së opozitës në Tiranë. Tubimi përpara Kryeministrisë po transmetohet live nga dy rrjete ndërkombëtare të njohura; EuroNews dhe Zëri i Amerikës.Ndërkohë që në Tiranë ka gjithashtu edhe gazetarë të mediave të tjera të huaja që ndjekin nga afër protestën. Kjo është protesta e nëntë radhazi e opozitës kundër qeverisë së Edi Ramës.

Kryedemokrati Basha tha se nuk do të ketë kompromis për ëndrrën e shqiptarve ‘për Shqipërinë si gjithë Europa’. Basha tha se e vetmja pengesë për një Shqipëri Europianë është kjo qeveri, të cilën ai e konsideroi si simbol të dhunës e vrasjes së shpresës së çdo shqiptari. Nga sheshi përpara kryeministrisë, Basha iu drejtua Ramës, me fjalët se nga sot, shteti e ligji është sovrani i derdhur në këtë shesh.

“8 javë më parë ju iu përgjigjët thirrjes së opozitës, u ngritët në bashkimin më të madh të 16 shkurtit, ne iu përgjigjëm me aktin më të madh djegien e mandateve largimin nga strofkulla nga e korrupsionit. Sot koalicioni i maxhorancës absolute. Ne partitë e opozitës, unë, PD e dimë fare mirë se ky mandat besimi që vjen nga Shqipëria e shumicës së grabitur, së dhunuar shkon përtej nevojës akute për një rotacion, rizgjimi kombëtar i një aspirate për të cilën kemi sakrifikuar shumë, për të cilën kemi patur edhe zhgënjime, sot është dita të mos bëjmë më kompromis, kurrë me asgjë më pak se standarte për drejtësi, e zgjedhje të ndershme.

Kurrë më asgjë më pak se standardet europiane të lirisë, të ekonomisë, vende pune me kushte dinjitoze për shqiptarët. Le të ushtojë nga ky muzg i tiranisë, ta degjojnë nga të gjithë këtu ne, ta dëgjojnë miliona shqiptarë, ta dëgjojë Bota se nuk do të këtë komprosim me endrrën tonë: E duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Pengesa e vetmë për  Shqipërinë si gjithë Europa, është qeveria e krimit, asgjesimi i themeleve europiane të bashkëjetesës demokratike, asgjesimi i gjykatës kushtetuese, është mungesa e gjykatës së lartë, garante e lirive të qytetarëve shqiptarë. Me 40 mijë dosje Gjykata e lartë nuk jep dot drejtësi sepse nuk eshte e republikës së Shqipërisë, është shkatërruar për t’i vënë minat shtetit ligjor. Vota është themeli i demokracisë, kjo qeveri është pengesa dhe numër një për zhvillimin e cdo shqiptari. Ju sot në shesh e dini fare mirë me Ramën nuk ka shtet, s’ka zhvillim po vetëm dhunim e shkatërrim, vrasje të shpresës. I themi sot atij e bandës  që sot nuk jeni më shteti jeni antishteti, nuk jeni ligji jeni antiligji, jeni padrejtësia, që sot e tutje shteti është sovrani i derdhur në këtë shesh.” -u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje forcave të rendit që janë vendosur në kordonin e sigurisë rreth Kryeministrisë që të hedhin kapelet dhe të bashkohen me qytetarët në protestë.

Basha ka thënë se detyra e policisë është të dëgjojë tubuesit dhe t’i bashkohet thirrjes së tyre për liri. “Ju bëj thirrje vëllezërve dhe motrave të policisë së shtetit, hidheni kapelet, bashkohuni me ne. Rama ik! Dëgjoni mirë mesazhin e popullit. Liri a vdekje, demokraci a vdekje. Kjo betejë do të ketë vetëm një përfundim; ajo do të zgjidhë dilemën të jetë apo të mos jetë Shqipëria evropiane.”- u shpreh Basha në fjalën e mbajtur prej tij.

Menjëherë pas fjalës së kryedemokratit, Lulzim Basha, është tensionuar situata para kryeministrisë. Protestuesit kanë nisur të gjuajnë me kapsolla e tymuese në drejtim të policisë.

Gjithashtu protestuesit kanë çare kordonin e policisë, dhe jane ngjitur në shkallët e kryeministrisë.

Në fjalën e tij kryedemorkati Lulzim Basha u shpreh se kushti i vetëm është krijimi i qeverisë tranzitore. “Nuk ka as do të ketë pazare politike, as kompromise travolinash. Kushti i patjetërsueshëm është qeveria tranzitore. Duhet rezistencë, përballje, kryengritje” u shpreh Basha.

Thirrja e policisë:

Policia, thirrje në megafon drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës:

“Të nderuar qytetarë,

Ruani qetësinë, ruani gjakftohtësinë.

Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarre, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë.

Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë

Të nderuar organizatorë të tubimit:

Merrni masa të menjëhershme që protestuesit që kanë mbuluar fytyrën me shall dhe maska, të zbulojnë menjëherë fytyrën ose të largohen nga protesta.

Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të Policisë.”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në ndjekje të zhvillimeve të protestës, u ka bërë thirrje protestuesve të opozitës që të ruajnë qetësinë, të evitojnë konfrontimet dhe të vazhdojnë tubimin paqësisht.

Reagimi i Kreut të Shtetit erdhi pasi protestuesit e opozitës thyen barrierat rrethuese të Kryeministrisë. Megjithatë, edhe pse kanë kapërcyer nëpër shkallët e godinës, protestuesit nuk kanë bërë përpjekje për të depëruar në brendësi të ndërtesës. Disa nga protestuesit kanë urinuar në derën e Kryeministrisë.

Ish-deputeti i PD Ervin Salianji ka publikuar një video, ku duket një qytetar i shtrirë në bulevard.

Ai shprehet se qytetari është goditur nga autoambulanca.

“Qytetarët më lajmërojnë se autoambulanca ka goditur një prej protestuesve dhe është larguar. Ambulanca tjetër ka ardhur pas 40 minutash”, shkruan Salianji.

Pas tubimit përballë Kryeministrisë turma është zhvendosur drejt Parlamentit. Në këto kushte ndërhyn nënkryetari i PD-së, Edi Paloka i cili ka bërë thirrje që të marshohet drejt Parlamentit.

“Bashkë drejt Parlamentit, asnjë të mos largohet. Asnjë të mos dorëzohet, ndiqni kreun e PD, drejt Parlamentit”,- tha Paloka.

Protestuesit kanë çarë në këto momente kordonin e parë policor, ndërsa hedhin kapsolla, tymuese e flakadanë. Policia ka reaguar duke hedhur gaz lotsjellës. Turma protestuese është shpërndarë menjëherë.

Efektet e gazit duket se kanë prekur edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka patur vështirësi në frymëmarrje. Ai ka vendosur një shami përpara për t’u mbrojtur nga gazi.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me protestën e opozitës. Në një status në twitter, kreu i qeverise solidarizohet me policët e plagosur, ndërsa thotë se PD dhe LSI janë dy parti të verbuara.

Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”, shkruan Rama ne Twitter.

Pas rreth dy orësh protestë të nisur para godinës të Kryeministrisë e të zhvendosur në oborrin e Parlamentit, protestuesit u shpërndanë me gaz lotsjellës nga Policia, që u bëri thirrje të tërhiqen.
Në foto paraqitet një prej protestuesve që ka humbur ndjenjat, si pasojë e bllokimit të frymëmarrjes prej gazit lotsjellës.

Ish-lideri i PD-së Sali Berisha, e ka paralajmëruar kryeministrin Rama duke i thënë se vrulli i protestës do ta marrë përpara edhe nëse futet në vrimë të miut. Në Shqipëri vijon Berisha, Rama i ka ditët e numëruara.

“Një gjë është e sigurt, kjo protestë do përmbysë Edvin zografin e dytë. Forcë në Botë që e shpëton nga ky vrull i fuqishëm nuk ka dhe nuk do të ketë. Le të shkojë në shkretinat më të largëta të Azisë, por në këtë vend i ka ditët e numëruara. Unë sot jam protestues. Protesta ka një vrull të madh në rritje, sot Tirana është kryeqyteti i botës për protestën. Atë fat që pësoi diktatori dhe junta atë fat do pësojë Rama. Deputetët që lanë mandatet dhe qytetarët që po i mbështesin e shndërruan në çështje botërore protestën. Kurrë s’ka pasur kaq shumë mbështetje një lëvizje anti shtet. Edhe në vrimën e miut të shkojë nuk do mund të shpëtojë nga ky cunam. Një herë në shkretira pastaj në tunele mbatharak si ai s’ka, është i pashpresë. Policët e thjeshtë do t’i kthejnë bërrylin shumë shpejt”,- tha Berisha nga protesta para Parlamentit.

Gazetarja e Tema Tv ka humbur ndjenjat për shkak të gazit lotsjellës që është hedhur mbi qytetarët.

Gazetarja ka rënë në tokë në momentin kur kryedemokrati Lulzim Basha ishte duke dhënë një intervistë për mediat.

Po ashtu i plagosur në protestë ka mbetur dhe fotoreporteri Arben Dajçi.

Kryetarja e Lëvizjës Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, refuzoi të fliste për vijimësinë e protestës së sotme të opozitës, ashtu sikurse bëri edhe lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryemadhi u shpreh se janë qytetarët ata që do të përcaktojnë kohëzgjatjen dhe rrjedhën e protestës.

Në fjalën e saj për mediat, kreu i LSI-së sfidoi publikisht kryeministrin Rama, duke i kërkuar zgjedhje të parakohshme, nisur nga siguria që mund t’i japë epërsia numerike në Parlament.  “Gjëja më e tmerrshme që unë kisha frikë nga djegia e mandateve, ishte ajo që deputetët që dogjën mandatet do të ishin më të lumtur në momentin kur dogjën mandatet se momentin kur i morën. Të gjithë ata deputetë që kanë djegur mandatet ndihen komod dhe njësh me popullin. Kjo ndodh për shkak të frikës së madhe që ka Edi Rama. Sepse nëse ndihet kaq i fuqishëm që ka numrat, ta çojë vendin në zgjedhje. Është kapur me presh në dorë duke blerë vota me krimin e organizuar, që është togfjalëshi më i rëndë”, u shpreh Kryemadhi.

Protestuesit i kanë vënë flakën një automjeti të parkuar para Parlamentit. Mësohet se automjeti ishte me targa fallco dhe përdorej jo zyrtarisht nga punonjës të policisë. Targat janë të një Volkswagen Caddy në Shijak.

Zëvendës Kryeministri Erion Braçe ka reaguar mbi përplasjet e protestuesve me efektivët e Policisë, si edhe për hedhjen e shashkave dhe të tymueseve ndaj godinave të Kryeministrisë dhe të Parlamentit. “GRUSHTA AMERIKANO-GJERMANE HANË, MË TË DHUNSHËM BËHEN!”- e ka titulluar Braçe një shkrim tijin të postuar në faqen zyrtare në “Facebook”.

Sipas Braçes, me protestën e sotme është cënuar siguria publike nga disa mijëra njerëz të dhunshëm, situatë “që nuk i bën asgjë një shumice politike, zero! Ama ekonominë tënde e godet!”- ka nënvizuar numri dy i kabinetit qeveritar.

Duke vënë theksin tek impakti i mundshëm që protesta mund të ketë në ekonominë e vendit, Braçe shkruan se dy elementët kyç që ndikuan në rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit të fundit, investimet e huaja dhe rritja e turizmit, janë të rrezikuar sipas tij drejpërdrejtë nga organizmet e këtij lloji. “Një grusht politiqensh të korruptuar, tamam ata që kanë vjedhur duke vrarë e kanë vrarë për tu mbrojtur, po shkatërrojnë ekonominë tuaj!”- ka shkruar ndër të tjera Braçe.

Kryeministri i vendt Edi Rama ka bërë një tjetër reagim në Twitter. Ai thotë se nëse protesta e opozitës ishte e madhe atëherë edhe filxhani është shkencë. Përgjigjen do ta marrin thotë ai më 30 qershor.

Reagimi i plotë:

“Nëse kjo ishte protestë e madhe atëherë filxhani është shkencë, Saliu është astronom dhe pakica ështē shumicë! Në fakt kjo s’ishte as e madhe, as e denjë po thjesht e turpshme për pdLSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30qershor?.”

Pas 4 orësh protestë, kryedemokrati Lulzim Basha mbylli protestën e opozitës së bashkuar. Basha tha se fundi i Edi Ramës tashmë është firmosur, ndërsa opozita e bashkuar do të vijojë betejën për të çliruar Shqipërinë në çdo cep të saj.

“Nuk ia doli dot të na mundë dhe megjithë sfidën e motit ne ia dolëm, të mbanim sot protestën më të madhe që ka njohur Kombi shqiptar. Jemi të vendosur për t’i shkuar betejës deri në fund. Deri në fitore. Qeveria kriminale që mbahet me forcën e paratë e krimit, sot u soll si pushtues ndaj qytetarëve, e pra le ta di se asnjë veprim i kundraligjshëm nuk ka për të patur sukses, fundi i Ramës është firmosur e vulosur nga popullit sovran. Tik-tak, tik-tak, tik-tak , tik-tak ..

Përgjigjja e sotme përmes bashkimit më të madh për një kauzë jetike, si demokracia e vërtetë do të vazhdojë ditë e natë. Sjelljes prej pushtuesi Rama e klika e tij kriminale do të marrë përgjigjen e merituar cdo ditë e cdo natë kudo ku ndodhen shqiptarët e lirë. Ndaj le ta vzhdojmë këtë betejë, jemi në rrugën e sigurtë. Jemi shumica morale, politike e fizike e shqiptarëve të bashkuar, dhe nesër me zgjedhje të lira e të ndershme me zotimin për të ndërtuar mbi gërmadhat e tiranisë vlerat e demokracisë.

Ne do bëjmë të mundur që cdo sakrificë të kujtohet me krenari e mirënjohje si themeli i Shqipërisë së vërtetë europiane. Ndaj le ti marrin me vete, gjithcka përjetuam sot për t’i shkuar betejës deri në fund. Ne nuk e ulëm kokën, u cuam, protestuam e fituam. Le të kumbojë ky mesazh në fitoren e betejës tonë, të bëhemi gati për clirimin e Shqipërisë në cdo cep të saj, nga klika kriminale e Edi Ramës. Sovrani foli sot, vendosi se shumica e sotme do të jetë nesër shumica e njerëzve me dinjitet që do të ndërtojnë këtu të ardhmen e tyre e jo në emigracion. Ndërsa Shqipëria e kriminelëve, do të varroset”. – u shpreh Basha./Lapsi.al

 

 

OPINIONE