Ndërsa në vend zhvillohen lirshëm aktivitete dhe marshime në mbështetje të komunitetit LGBTQ, një marshim i paralajmëruar në mbrojtje të familjes tradicionale u ndalua nga autoritetet. Protestuesit ishin njoftuar paraprakisht për zhvillimin e një marshimi paqësor, por ndërhyrja e policisë e pengoi këtë organizim.
Një nga organizatorët dhe zërat aktivë të protestës, Floriar Arapi, u shpreh se vendimi për të ndaluar marshimin është i papranueshëm dhe tregon standard të dyfishtë nga shteti.
“Ndërkohë që shteti vihet në këmbë për të mbështetur tubimet e komunitetit LGBTQ, neve na ndalon të marshojmë për mbrojtjen e familjes – për atë që është themeli i shoqërisë sonë. Kjo është një shkelje e të drejtës për tubim dhe një padrejtësi e hapur ndaj qytetarëve që duan të mbrojnë vlerat tradicionale,” deklaroi Arapi.
Tubimi kishte për qëllim të shprehte kundërshtinë ndaj promovimit të ideologjive të huaja në shkolla dhe institucione, duke theksuar rëndësinë e familjes si njësi themelore e shoqërisë, e përkrahur edhe nga Kushtetuta shqiptare. Pjesëmarrësit dënuan ashpër ndalimin e marshimit, duke e cilësuar si një akt të pajustifikueshëm që bie ndesh me të drejtat themelore të qytetarëve për të shprehur bindjet e tyre në mënyrë paqësore./gazetaimpakt