Serbi-Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç ka dhënë dorëheqjen këtë të martë (28 janar) pas protestave të studentëve, shkruajnë mediat në Beograd.
Lajmin e dorëheqjes e dha në një konferencë të jashtëzakonshme për media.
“Kur mora mandatin për të formuar qeverinë në fund të prillit të vitit të kaluar, sigurisht që kisha një ndjenjë të fortë krenarie, por mbi të gjitha u përpoqa të kuptoja përgjegjësinë që vjen me atë punë. I vetëdijshëm se ka sfida të shumta për Serbinë, rajonin dhe situatën e ndërlikuar gjeopolitike, e pashë veten si pjesë e politikës së presidentit Vuçiç, që të vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Jam shumë krenar për gjithçka që kemi bërë si qeveri së bashku me presidentin” tha Vuçeviç.
Një ditë më parë, presidenti Aleksandër Vuçiç tha se kërkesat e studentëve janë plotësuar dhe se po shikon për disa ndryshime në qeveri.
Millosh Vuçeviç ftoi dje të gjithë dekanët, rektorët, profesorët e universitetit dhe përfaqësuesit e studentëve në një takim për të diskutuar të gjitha temat e rëndësishme për gjithë komunitetin dhe për veten e tyre.
Studenët e universiteteve të Serbisë nisën dje një bllokadë 24-orëshe në Beograd, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Ndërkohë disa media të tjera vendase bëjnë me dije se studentët e Fakultetit Filozofik në Novi Sad janë sulmuar fizikisht gjatë mbrëmjes së djeshme (27 janar) nga persona të panjohur të cilët kanë dalë nga ambientet e SNS-së, partia e Vuçiç./Shqiptarja