Grupi nismëtar organizon ditën e premte, *2 tetor 2026, ora 10:00, përpara Ministrisë së Kulturës*, Tiranë, një protestë me këto kërkesa:
1. Anulimin e vendimit të Këshillit Bashkiak për ngritjen e Muzeut Hebraik në Qendrën Historike të Vlorës.
2. Ndalimin e menjëhershëm të punimeve në Qendrën Historike të Vlorës dhe respektimin e legjislacionit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe qendrave historike.
Ndërtimi i Muzeut Hebraik ka shndërruar në mënyrë të pakthyeshme një ndërtesë monument kulture të kategorisë së parë dhe ka vënë në rrezik shembjeje ndërtesën ikonë të ish-Klubit Labëria, e njohur sot si Muzeu Entografik, i braktisur prej dekadash nga instancat përkatëse. Gjithashtu, ky aset i pazëvendësueshëm i historisë sonë gllabërohet tërësisht nga projekti aktual i Muzeut Hebraik.
Nuk mund të lejojmë që një zonë që mbart pjesë thelbësore të historisë së Vlorës dhe të Shqipërisë të tjetërsohet në mënyrë të pakthyeshme. Në këto ndërtesa kanë jetuar dhe vepruar figura që kanë dhënë kontribut në historinë dhe formimin e shtetit shqiptar. Humbja e tyre nuk është vetëm humbje për Vlorën, por për të gjithë trashëgiminë tonë historike.
Çështja nuk është çfarë po ndërtohet, por çfarë po humbasim.
Bashkohuni me ne!
_2 tetor | 10:00 | Ministria e Kulturës, Tiranë_

















