Pse Izraeli i fsheh operacionet e veta në Rripin e Gazës?

Ushtria e regjimit sionist po ndjek me censurë operacionet e veta në Rripin e Gazës, ndërkohë që analistët besojnë se politika e fshehtësisë jo vetëm që ka arsye ushtarake, por është në dobi edhe të kabinetit të zhytur në kriza të Netanyahut.

Sipas Pars Today, gazeta sioniste “Yediot Aharonot” shkruante në një raport se Eyal Zamir, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së regjimit sionist dhe Effie Defrin, zëdhënësi i kësaj ushtrie, duke këmbëngulur në politikën e censurës dhe fshehtësisë, qëllimisht po përmbahen nga publikimi i informacionit në lidhje me operacionet ushtarake aktuale në Rripin e Gazës, si dhe nga statistikat e humbjeve të jetëve të civilëve, ndërkohë që opinioni publik izraelit nuk ka shumë mbështetje për vazhdimin e kësaj lufte.

Sipas raportit të kësaj gazete, ushtria e regjimit izraelit ka dhënë dy arsye kryesore për këtë politikë të fshehtësisë.

Së pari, parandalimi i Lëvizjes së Rezistencës Islamike (Hamas) nga aksesi i informacionit në lidhje me itinerarin dhe natyrën e operacioneve aktuale; dhe së dyti, tendenca e komandantëve të ushtrisë për të kryer operacione ushtarake pa i shpallur publikisht ato, në mënyrë që pas arritjes së rezultateve të dëshiruara, të flasin në lidhje me detajet.

Kjo praktikë ndiqet veçanërisht nga Eyal Zamir, personi që gjatë fjalimit të ceremonisë së marrjes së detyrës nga ana e vet pranoi se “Hamasi ende nuk është mposhtur dhe ne do të përballemi me një luftë rrënuese me shumë fronte për vite me radhë”.

Gazeta “Yediot Aharonot” kujtoi se gjatë operacionit tokësor të ushtrisë izraelite në Gaza vitin e kaluar, ky institucion ushtarak publikonte informacione të përditshme mbi ecurinë e luftës dhe i lejonte gazetarët të bënin raporte në terren dhe intervista me forcat ushtarake. Qëllim i këtij veprimi deklarohej se ishte përcjellja e zërit të ushtarëve dhe oficerëve te familjet e tyre dhe opinioni publik izraelit.

Megjithatë, në situatën aktuale ndalohet edhe shfaqja e fytyrave të ushtarëve dhe oficerëve me gradë më të ulët se komandant brigade. Ky ndalim justifikohet nga shqetësimet për ndjekjen ligjore dhe ndërkombëtare jashtë kufijve të Palestinës së pushtuar për shkak të kryerjes së krimeve të luftës.

Raporti vijon duke theksuar se kjo politikë e heshtjes dhe censurës është gjithashtu shumë e dëshirueshme dhe e dobishme për nivelet politike të regjimit sionist; sidomos për Benjamin Netanyahun, kryeministrin e regjimit pushtues, i cili është nën hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Në mediat sioniste, operacioni aktual tokësor po portretizohet gabimisht si vazhdim i ofensivës kundër Hamasit ose rifillimi i një lufte në shkallë të gjerë.

Në vijim, në raport thuhet: “Ky portretizim i rremë i ka lejuar krahut të djathtë ekstrem në qeveri të imagjinojë me mendje të qetë se ushtria po e mposht Hamasin, dhe si rrjedhojë, të garantohet kthimi i Ben-Gvirit në qeveri dhe fundi i kërcënimeve të Smotrichit për t’u larguar nga kabineti qeveritar. Megjithatë, duket se të dy personat (Ben-Gvir dhe Smotrich) janë të vetëdijshëm për realitetin ose ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme janë bashkëpunëtorë në mashtrimin e vete së tyre dhe të të tjerëve; sepse Hamasi është ende në këmbë./parstoday

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne