Donald Trump i tha një gazetareje “Pusho derrkuce” ndërsa ajo po i bënte një pyetje në lidhje me dosjet Epstein, brenda avionit presidencial Air Force One.
Presidenti u përkul për t’i shqiptuar komentin ofendues, të cilin e tha duke tundur gishtin.
Incidenti është bërë viral, me përdorues të rrjeteve sociale, që ndahen në opinione se çfarë ai tha realisht. Ngjarja ndodhi të premten, ndërsa Trump po kthehej me avion drejt Uashingtonit, D.C.
Edhe pse identiteti i gazetares mbetet i panjohur, The Daily Telegraph ka raportuar se ajo punonte për gjigantin mediatik Bloomberg.
Para se të bënte komentin e tij, Trump i tha gazetares se kishte një “marrëdhënie shumë të keqe” me Jeffrey Epstein, përpara se të kalonte shpejt te një pyetje tjetër.
“Nëse nuk ka asgjë inkriminuese në dosje, zoti President, pse jo…” nisi gazetarja, përpara se Trump të shpërthente.
“Pusho! Pusho derrkuce” – tha Trump ndërsa i drejtonte gishtin gazetares.
Më pas ai iu përgjigj një pyetjeje nga një gazetar tjetër në lidhje me tensionet në rritje me Venezuelën.
Shpërthimi i Trump vjen në një moment kur administrata e tij po përpiqet t’i bëjë ballë skandalit Epstein. Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë të martën për një projektligj që do të detyrojë publikimin e dosjeve të lidhura me abuzuesin seksual të dënuar./tpz.al















