PUSHTIMI IDEOLOGJIK DHE KULTUROR I MUSLIMANËVE

Nga Rexhep Milaqi
Prej kohësh islamofobët dhe ateistët po përpiqen me të gjitha format dhe mjetet që posedojnë t’i pushtojnë muslimanët ideologjikisht dhe kulturalisht. Për ta arritur këtë qëllim, ata kanë krijuar dhe shpikur mendësi dhe mentalitete në bazë të të cilave, i quajnë të moralshme gjërat që feja i quan të pamoralshme si, zhveshja e femrës, ekspozimi i trupit në ambiente publike, lakuriqësia në ambientet e plazhit, lidhjet jashtëmartesore, zëvendësimi i martesës me bashkëjetesë, ligjësimi i homoseksualizmit, emisionet denigruese…etj. Dhe i quajnë të pamoralshme apo jodinjitoze gjërat që feja i quan të moralshme dhe dinjitoze si, veshja e femrës me mbulesën fetare, mbajtja e mjekrrës për burrat (sidomos para ca vitesh) poligamia…etj.
Ata përdorin median dhe çdo mjet tjetër të mundshëm për ta prezantuar mendësinë e shpikur nga ata si një model perfekt dhe kulturën fetare si një model i vjetër që duhet braktisur dhe prej të cilit duhet të turpërohesh.
Qëllimi kryesor i pushtimit ideologjik dhe kulturor është denigrimi i modelit islam duke e nisur me vetë Profetin e Zotit a.s. Kjo pasiqë disa tradita profetike nuk përputhen me mendësinë e islamofobëve dhe ateistëve, e cila sipas tyre është modeli përfekt ndërsa modeli që ofron Islami apo tradita profetike është i denigruar dhe antivlerë. Kështu, dalëngadalë muslimanët fillojnë të ndihen inferiorë dhe të turpëruar nga Islami dhe Profeti i tyre dhe nuk mund ta shohin Islamin dhe Profetin si një model për ta. Atyre i bie krenaria dhe rrjedhimisht nuk e mbrojnë dot sheriatin dhe Profetin e tyre. Duke qenë inferiorë, ata distancohen nga çdo gjë islame që bie ndesh me mendësinë islamofobe për të shpëtuar veten nga “turpi”.
Ky pushtim ideologjik e kulturor fatëkeqësisht i ka dhënë frytet e tij dhe ka pasur sukses të dukshëm pasiqë jo vetëm muslimanët e thjeshtë por dhe ata që duhet të jenë elita e muslimanëve, përjashto dy a tre veta, kanë rënë viktimë e këtij pushtimi ideologjik. Andaj i shikon se si i shmangen përgjegjësisë së mbrotjes së sheriatit, kulturës islame dhe traditës profetike duke bërë interpretime që nuk i përmend legjislacioni islam për x dispozitë.
Ka ardhur koha që njerëzit e dijes dhe elita islame të bëhen të guximshëm dhe t’i dalin në mbrojtje fesë së Zotit dhe të thotë të vertetën e pastër ashtu siç e parashikon legjislacioni islam dhe tradita profetike pa e manipuluar dhe pa e zbehur statusin e saj me interpretime dhe arsyetime që nuk i parashikon sheriati. Veshja e femrës muslimane sa vjen e po zbehet dhe po masakrohet si pasojë e ndikimit të pushtimit ideologjik dhe kulturor. Vështirë se dallohet veshja islame nga ajo joislame. Si pasojë e këtij pushtimi kulturor po prezantohet si antivlerë dhe amoralitet, poligamia e cila është praktikuar nga shumë Profetë të cilët ishin njerëzit më të nderuar të njerëzimit si Sulejmani (Solomoni) dhe Muhamedi (paqja qoftë mbi ta!) si dhe nga njerëz të tjerë të mëdhenj joprofetë, dhe ndërkohë një pjesë e elitës islame nuk e kanë guximin ta quajnë atë vlerë apo traditë të profetëve dhe të njerëzve të mëdhenj.
Më e pakta që mund të thuhet për statusin juridik të poligamisë në sheriat është se ajo klasifikohet si mubah (e lejuar). Ndonëse një pjesë e hoxhallarëve që kanë folur në rrjetet sociale apo në media e pranojnë që poligamia në vetvete klasifikohet si mubah (e lejuar), përkufizimi i të cilit është: “ajo vepër, veprimi dhe mosveprimi i së cilës janë të njëjtë dhe vepruesi i saj në vetvete as nuk lëvdohet e as nuk përçmohet, por nëse ai e bën me qëllim të mirë lëvdohet dhe shpërblehet”, shohim se në realitet nga trajtimi që i bëjnë poligamisë nuk e klasifikojnë si të lejuar por si mekruh (e papëlqyer) përkufizimi i të cilit (mekruhut) është: “Ajo vepër lënia e së cilës është më e mirë se kryerja e saj dhe se ai që e lë shpërblehet dhe lëvdohet!” Pra, klasifikimin e poligamisë e bëjnë në kategorinë e mubahut (e gjërave të lejuara) ndërsa gjykimin për të e japin sipas përkufizimit të mekruhut (gjërave të papëlqyera). Mubahu sipas juristëve muslimanë konsiderohet diçka e mirë dhe vlerë sepse ai është pjesë e ligjshme e sheriatit dhe sheriati nuk mund të ligjësojë apo përligjë diçka që është jo e mirë apo antivlerë. Një trajtim tjetër i gabuar i tyre ndaj poligamisë që bie ndesh me përkufizimin e mubahut(të lejuarës) është se lejueshmërinë e poligamisë e lidhin me arsye që e nxjerrin atë nga rangu i mubahut dhe e fusin në rangun e mekruhut. Si për shembull, “poligamia është përjashtim nga rregulli” apo “poligamia lejohet në raste të veçanta si në rastin kur gruaja e parë është e sëmurë apo kur nuk lind fëmijë apo kur ka ngelur e pamartuar…etj. Arsyetime dhe interpretime këto që nuk përputhen me përkufizmin e mubahut por me të mekruhut, dhe që sheriati nuk i ka lidhur me urtësinë e ligjësimit të poligamisë.
Duhet theksuar se poligamia, nëse themi që në thelb është thjesht mubah(e lejuar), duhet të pohojmë se ajo nuk është si llojet e zakonshme të mubahut por është një mubah(e lejuar) që përforcohet nga tradita e profetëve dhe nga tradita e shumë njerëzve të mëdhenj si dhe nga tradita e njerëzimit në mbarë botën deri para disa dekadave apo disa shekujve.
Ka ardhur koha që njerëzit e dijes ta përfaqësojnë fenë e tyre me dinjitet dhe të mos bien pre e presionit të pushtimit ideologjik të islamofobëve por ta pranojnë të vërtetën dhe ta përcjellin ashtu siç është pa e manipuluar me interpretime që nuk i përcakton legjislacioni islam.
E vërteta nuk mbrohet duke u distancuar prej saj apo duke e mohuar apo duke e paraqitur atë të paligjshme në media dhe në rrjetet sociale apo duke u distancuar nga muslimanët që mund të mos kenë bërë zgjedhjen e duhur, por mbrohet duke qenë të përgjegjshëm, duke e pranuar atë ashtu siç vjen në sheriat dhe pastaj duke i edukuar brezat e rinj me edukatën e lartë islame dhe duke i orientuar ata me urtësi drejt asaj që është më e dobishme dhe më e mirë për ta dhe për fenë e tyre.
Rastet e abuzimit dhe të shfrytëzimit të një norme fetare për qëllime të padrejta apo apo pamundësia e dikujt për ta zbatuar atë normë me drejtësi nuk e përligj mohimin krejtësisht të asaj norme apo zbehjen e vlerës që ajo bart në vetvete duke e prezantuar atë si antivlerë. Sepse çdo normë fetare mund të zbatohet me drejtësi dhe dinjitet nga individë të përgjegjshëm në çdo vend e në çdo kohë.
Sa i takon pretendimit të disave se poligamia nuk duhet zbatuar për sa kohë që në legjislacionin shqiptar nuk ka ligj që e mbron, kjo që ata thonë është si të thuash: “prit gomar që të mbijë bar” Sepse ligji nuk ndryshohet duke pritur që të ndryshohet vetvetiu por ndryshohet duke evindetuar prezencën e rasteve që duhen trajtuar me ligj. Pra, organet ligjvënëse shikojnë nëse ka kërkesa dhe raste aktuale për një ligj të tillë apo jo. Nëse nuk ka, ata nuk bëjnë azhornime në legjislacion por nëse ka, atëherë ata janë të detyruar të bëjnë azhornime në legjislacion sepse janë të detyruar të mbrojnë të drejtat e individëve sipas nevojave që ata kanë.
A nuk është e turpshme që të ligjësohet martesa midis të njëjtës gjini që nuk është njohur nga asnjë traditë e mirëfilltë dhe nga asnjë legjislacion dhe që është kundra natyrshmërisë njerëzore dhe të mos ligjësohet poligamia që është traditë e profetëve të Zotit dhe e njerëzimit mbarë deri para kohës së shfaqjes së pushtuesve ideologjikë!
Nëse muslimanët nuk bëjnë kujdes nga pushtimi ideologjik e kulturor, ata do të jenë gjithmonë inferiorë dhe feja e tyre do të shihet gjithmonë si antivlerë!
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Ata të cilët përçojnë mesazhet e Allahut, i druhen vetëm Atij dhe nuk i druhen askujt tjetër përveç Allahut. Allahu është i mjaftueshëm për të marrë llogari.”(Ahzab 39)
“O i Dërguar! Kumtoje atë që të është zbritur ty prej Zotit tënd! Nëse nuk do ta bësh këtë, nuk e ke kumtuar mesazhin e Tij. Allahu do të të mbrojë nga njerëzit. Pa dyshim, Allahu nuk e udhëzon popullin mohues.”(Maideh 67)
“E kur Allahu mori besëlidhjen me ata që u ishte dhënë Libri: “Ju do ta shpjegoni atë qartazi për njerëzit dhe nuk do ta fshihni!”, ata e hodhën pas shpine dhe morën një çmim të ulët në këmbim të saj. Çfarë këmbimi të keq bëjnë ata!”(Ali Imran 187)
“Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, nuk i lejohet as besimtarit e as besimtares të bëjnë zgjedhje të tjera në çështjet e tyre. Ai që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka përfunduar në devijim të qartë.” (Ahzab 36)
“O ju që besuat! Për hir të Allahut, bëhuni dëshmitarë të qëndrueshëm ndaj të drejtës”(Maideh)
Profeti Muhamed a.s ka thënë:
“Këtë dije në çdo gjeneratë e bartin të drejtit, të cilët largojnë prej saj shtrembërimet e injorantëve, pretendimet e manipuluesve dhe interpretimet e ekstremistëve”
“Para kiametit do të vijnë vite tradhtie/manipulimi. Në atë kohë do t’i besohet gënjeshtarit dhe do të përgënjeshtrohet i sinqerti, do t’i jepet pozita tradhtarit dhe do të akuzohet besniku, gjithashtu atëherë do të flasë “ruvejbidah”. Shokët e pyetën, kush është “ruvejbidah”? Ai tha: “Njeriu i ulët/mendjelehtë, i cili flet për çështjet e rëndësishme të njerëzve”/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne