Putin: Gjermania mbetet partneri ekonomik rus

Sipas presidentit rus, Gjermania mbetet partneri kryesor i Rusisë, pavarësisht sanksioneve.

Gjermania mbetet partneri kryesor ekonomik i Rusisë dhe qarkullimi bilateral tregtar është rritur me mbi 40 për qind në fillim të vitit 2017, tha presidenti rus Vladimir Putin pas një takimi me kancelaren gjermane Anxhela Merkel.

“Rusia synon të ndërtojë bashkëpunimin me Republikën Federale të Gjermanisë mbi parimet e përfitimit reciprok, respektit, barazisë dhe shqyrtimit të interesave të njëri-tjetrit. Megjithë vështirësitë e njohura politike dhe luhatjet në mjedisin ekonomik global, Gjermania mbetet partneri kryesor i politikës së jashtme të vendit tonë … Duke folur për situatën në tregtinë dypalëshe, ne vumë re me kënaqësi rritjen e qarkullimit tregtar; në janar dhe shkurt, ai u rrit me 43 për qind,” tha Putin.

Sipas Putinit, Gjermania është blerësi më i madh i gazit rus, i cili mbulon gati 35 për qind të nevojave gjermane.

Putin shprehu shpresën se udhëheqësit e biznesit gjermanë do të kishin një pjesmarrje më të madhe se vitin e kaluar në Forumin Ndërkombëtar Ekonomik në Shën Petersburg (SPIEF).

SPIEF i ardhshëm vjetor do të mbahet në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg më 1-3 korrik. Veprimtaria, e cila është nën kujdesin e presidentit rus, mbledh krerë shtetesh e qeverish, si dhe shefa ekzekutivë dhe shumë ekspertë të shquar ekonomikë nga e gjithë bota.

“Ne shpresojmë që përfaqësuesit gjermanë të biznesit do të marrin pjesë më aktive në SPIEF këtë vit,” tha Putin në një konferencë të përbashkët shtypi me kancelaren gjermane Anxhela Merkel.

Presidenti rikujtoi se Grupi Punues Strategjik Ekonomik dhe Financiar Ruso-Gjerman kishte rifilluar punën e tij vitin e kaluar, duke vënë në dukje se ai ishte ngarkuar me ndihmimin e udhëheqësve të biznesit të të dy vendeve në krijimin e lidhjeve dhe në drejtimin e projekteve të përbashkëta. Grupi i punës u rihap në qershor të vitit 2016 pas një ndërprerjeje trevjeçare të shkaktuar nga tensionet Rusi-BE gjatë konfliktit të Ukrainës. Të dyja palët nënshkruan marrëveshje të përbashkëta të projektit me vlerë qindra milionë dollarë.

Tregtia ruso-gjermane mori një goditje të madhe pas sanksioneve anti-ruse të BE-së, duke rënë mbi 20 për qind në vitin 2015 dhe mbi 10 për qind në vitin 2016, sipas shifrave doganore të Rusisë. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne