Qeveria kërkon edhe 33.85 milionë dollarë tek Banka Botërore për Orikumin dhe Ksamilin

Qeveria shqiptare ka kërkuar që projekti për Zhvillimin e Turizmit dhe Integrimin Urban i nisur pak vite më parë me fokus katër bashki të zgjatet në kohë por edhe të marrë një shtesë financimi prej 33.85 milionë dollarësh.

Sipas dokumenteve zyrtare këtë herë qeveria nënvizon se Ksamili dhe Orikumi do të jenë qendrat ku do të vendoset vëmendja më e madhe teksa në projektin origjinal ishin katër bashki Berati, Përmeti, Gjirokastra dhe Saranda.

“Financimi shtesë i projektit për zhvillimin e turizmit dhe integrimin urban do të përdoret për të mbështetur investimet në përmirësimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës, si dhe tregun turistik dhe zhvillimin e produkteve në dy lokacione të reja në Jug të Shqipërisë.

Investimet do të përqendrohen në Ksamil dhe Orikum, të dyja janë të lidhura ngushtë me bashkitë të cilat marrin pjesë në Projektin mëmë dhe vendet e tyre të turizmit. Investimet në Ksamil dhe Orikum do të ishin brenda fushës së Komponentit 1 dhe Komponentit 3 të projektit origjinal.

Projekti, përfshirë një kombinim të përmirësimit të aksesit të automjeteve, këmbësorëve dhe atij multimodal drejt atraktisoneve turistike të qytetit, përmirësimit të sistemeve të shtigjeve, përmirësimin e zonave / parqeve rekreative dhe ripërdorimi i duhur i strukturave të zgjedhura ashtu sikurse tregu i turizmit dhe zhvillimi i produktit. Investimet e propozuara do të kontribuojnë gjithashtu në adaptimin me ndryshimet klimatike duke i bërë qytetet më elastikë ndaj ekstremeve të lidhura me klimën si përmbytjet, një element veçanërisht i rëndësishëm për qytetet bregdetare, të tilla si Ksamil dhe Orikumi.

Projekti i propozuar gjithashtu do të mbështesë potencialisht investime shtesë në përmirësimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës në bashkitë e financuara me projektin origjinal si Berat, Përmet, Sarandë dhe Gjirokastër, për të përmbushur kërkesën për investime shtesë nën Komponentin 1 i cili do të kontribuojë në objektivin e zhvillimit të Projektit, por nuk mund të mbulohet sipas huasë origjinale” thuhet në dokument.

Projekti për Zhvillimin e Turizmit dhe Integrimin Urban është një ndër disa projektet që u financuan përmes kornizës 5 vjeçare që ka Banka Botërore për Shqipërinë. Ai ka një financim total prej 71 milionë dollarësh.

Ky projekt ka në total katër komponentë ku i pari është përmirësimi i infrastrukturës dhe pjesës urbane me një vlerë 49.3 milionë dollarë. I dyti është komponenti për përmirësimin e zonave turistike me një kosto 9.4 milionë dollarë. I treti është zhvillimi i një produkti dhe tregu i turizmit me 8.6 milionë dollarë dhe komponenti i katërt lidhet me mbështetjen e zbatimit me një kosto 3.6 milionë dollarë.

Lidhur me financimin shtesë bordi pritet që të marrë një vendim 31 janar 2021. /Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne