Qeveria rajonale belge Valonia pezullon eksportet e municioneve në Izrael, arsye lufta në Gaza dhe vendimi i GJND-së

Qeveria rajonale Valonia në Belgjikë ka pezulluar dy licenca për eksportet e municioneve në Izrael. Sot në parlament, ministri i Strehimit, Christophe Collignon, zbuloi pezullimin në përgjigje të një pyetjeje në emër të Elio Di Rupo, ministrit-presidentit të rajonit Valonia, një nga tre rajonet e Belgjikës.

Collignon tha se Di Rupo vendosi të pezullojë përkohësisht dy licencat e dhëna kompanisë ‘FB Clermont’ pas vendimit të përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të muajit të kaluar për Izraelin, si dhe për shkak të “përkeqësimit të papranueshëm të situatës humanitare në Rripin e Gazës”.

Collignon theksoi se Valonia është “angazhuar që nga viti 2009 që të mos eksportojë materiale ushtarake që do të forconin kapacitetet ushtarake të Izraelit”. Dy licenca iu dhanë kompanisë ‘PB Clermont’ në fillim të vitit 2023, tha Callignon, duke shtuar se dokumentet përmendin qartë përdoruesit përfundimtar të municionit të prodhuar.

“Ato janë ekskluzivisht vende evropiane, përfshirë Belgjikën”, tha ai, duke theksuar se ato materiale eksportohen në BE dhe SHBA pasi përpunohen në Izrael. Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, kur siç thotë Tel Avivi, u vranë rreth 1.200 izraelitë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 27.585 palestinezë janë vrarë dhe 66.978 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në enklavë që nga 7 tetori. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne