Kryeministri Edi Rama ka shkaktuar një stuhi reagimesh me deklaratat e tij për krijimin e një “shteti bektashi”, gjatë rubrikës së tij “Sy më sy” në rrjetet sociale. Ndërsa u përpoq ta paraqiste si një koncept që nuk cenon integritetin territorial të Shqipërisë, shumë qytetarë e kanë pritur me zemërim këtë ide, duke e quajtur një përpjekje të rrezikshme për ndarjen e vendit.
Duke iu përgjigjur një komentuesi, Rama tha se krijimi i një strukture të tillë nuk nënkupton copëtimin e territorit, duke sjellë si shembull organizimin administrativ të Italisë. “Jo, nuk ka copëtim. Italia ka tre struktura brenda për brenda. Në rastin tonë nuk është ideja e shtetit që konceptonit ju”, u shpreh ai, duke lënë të hapur mundësinë për një status të veçantë për komunitetin bektashi.
Këto deklarata kanë ndezur një valë zemërimi në rrjetet sociale, ku qytetarët e kanë akuzuar Ramën për mbështetje të një projekti të rrezikshëm që mund të çojë në fragmentarizimin e Shqipërisë. “Ç’është kjo marrëzi? Si mund të flitet për shtet brenda shtetit?”, shkruan një komentues i revoltuar. Të tjerë e kanë parë këtë si një strategji për të larguar vëmendjen nga problemet reale të vendit.
Rubrika “Sy më sy” po kthehet gjithashtu në një burim pakënaqësie, pasi qytetarët akuzojnë kryeministrin se zgjedh pyetjet që i leverdisin, ndërsa shmang çështjet më të nxehta. Për të ulur kritikat, Rama ka njoftuar se do të bëjë dy transmetime live në mëngjes çdo javë, por skeptikët thonë se kjo është thjesht një mënyrë tjetër për të kontrolluar narrativën dhe për të shpërfillur zërin e popullit.
Ndërkohë, debati mbi “shtetin bektashi” vazhdon të përhapet, me shumë analistë dhe qytetarë që kërkojnë shpjegime më të qarta nga qeveria. A është kjo një çështje që do të mbyllet me kaq, apo ka një plan më të madh pas saj?/gazetaimpakt