Policia arreston izraelitin që mashtronte europianët

Në mes të Tiranës, mes luksit dhe qetësisë së “Komunës së Parisit”, fshihej një nga mashtruesit më të kërkuar në Europë. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe rrjetin ndërkombëtar ENFAST, ka finalizuar operacionin e koduar “Operacionalja 25”, duke vënë në pranga shtetasin izraelit me pasaportë kanadeze, R. G., 42 vjeç.

Ky individ, i cili kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për një kohë të gjatë, është akuzuar nga Gjykata e Bambergut në Gjermani për mashtrim të përsëritur, një krim që parashikon deri në 15 vjet burgim. Me një skemë të sofistikuar, ai kishte arritur të përfitonte shuma të mëdha parash nga qytetarë europianë, duke e kthyer veprimtarinë e tij kriminale në një makinë të mirëorganizuar mashtrimi.

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania), operacioni policor i koduar “Operacionalja 25”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit me Zyrën Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA) dhe i koordinimit nga rrjeti ndërkombëtar ENFAST.

Ndalohet në Tiranë, një shtetas i akuzuar në Gjermani, për mashtrim në mënyrë të përsëritur.

Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale (FAST Albania) dhe Zyrës Federale të Policisë Kriminale të Gjermanisë (BKA), nëpërmjet rrjetit ENFAST, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 25”.

Gjatë operacionit, u lokalizua në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, Tiranë, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, R. G., 42 vjeç, me kombësi izraelite dhe me shtetësi kanadeze.

Gjykata e Bambergut, Gjermani ka lëshuar urdhër ndalimi për këtë shtetas, për mashtrim, të kryer në mënyrë të përsëritur, veprimtari kriminale për të cilën Kodi Penal i Gjermanisë parashikon dënim deri në 15 vjet burgim.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 42-vjeçarit, në Gjermani.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne