Qyteti amerikan Louisville shpall racizmin “krizë të shëndetit publik”

Qyteti Louisville në Kentucky të SHBA-ve ka klasifikuar racizmin “krizë të shëndetit publik” përderisa përballet me trazira të vazhdueshme publike pas të shtënave fatale të policisë ndaj një gruaje afro-amerikane të paarmatosur në shtëpinë e saj.

Në njoftimin e urdhrit të tij ekzekutiv, kryebashkiaku Greg Fischer tha se është “e qartë se duhet të lëvizim më shpejt dhe të investojmë më shumë burime” drejt avancimit të barazisë racore në qytet.

“Viti 2020 ka qenë një vit kur ne kemi përjetuar kërkesa të drejta për drejtësi racore dhe barazi. Për shumë qytetarë të Louisville-s, racizmi është një fakt i jetës së përditshme, një fakt që u krijua dhe u dokumentua në ligjet dhe politikat institucionale të vendit tonë të tilla si segregacioni, ristrukturimi dhe rilindja urbane”, tha Fischer.

Midis padrejtësive të përmendura nga kryebashkiaku ishte norma e varfërisë që është tre herë më e lartë tek afro-amerikanët sesa tek të bardhit, si dhe shkalla e pronësisë së shtëpive midis afro-amerikanëve që është gjysma e asaj të të bardhëve.

Vrasja e muajit mars e afro-amerikanes Breonna Taylor nga policia gjatë një bastisjeje të lëndëve narkotike, sipas kryebashkiakut ishte “tragjike”, gjë që siç tha ai, e bëri qytetin Louisville “një pikë qendrore për vlerësimin e Amerikës mbi drejtësinë racore”.

“Muajt e fundit kanë qenë të dhimbshme për ne si komunitet dhe për shumë prej nesh personalisht. ‘Status quo’ nuk po funksionon, as nuk është e pranueshme. Pyetja është çfarë të bëjmë tani”, u shpreh Fischer gjatë konferencës për media.

Urdhri i kryebashkiakut krijon një skicë për hapat e ardhshme që ai pranoi se do të nevojiten vite për t’u përmbushur, ndërsa disa nga pikat e axhendës së tij nuk ka gjasa të përmbushen deri në atë kohë kur ai largohet nga zyra.

Reformat, tha ai, “do të kërkojnë një angazhim të fuqishëm dhe shumë punë”.

“Por unë besoj se mund të bëhet, pjesërisht sepse kur shoh rreth qytetit Louisville dhe flas me njerëz nga çdo lagje dhe prejardhje, ndiej një kuptim dhe dëshirë më të madhe për të adresuar barazinë racore”, tha ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne