Alket Goce
Një vizitë e paguar me miliona euro dhe një kritikë që nuk blihet me para.
Rrallëherë është parë një kontrast kaq i fortë mes një transaksioni të kushtueshëm dhe një qëndrimi të sinqertë publik. Edi Rama arriti të sigurojë praninë e Kanye West në Shqipëri.
Por, në të njëjtën kohë, humbi mbështetjen morale të Dua Lipës. Në bilancin e ndikimit publik, ky është një dështim që nuk fshihet me propagandë.
Ardhja e Kanye West u paraqit si një sukses i madh për promovimin e Shqipërisë. Megjithatë, prapaskena financiare tregoi një histori krejt tjetër. Për vetëm dy orë qëndrim, reperi amerikan përfitoi rreth 7 milionë euro.
Sipas të dhënave të publikuara, 4 milionë euro u paguan drejtpërdrejt nga taksat e shqiptarëve. Në këmbim mbeti vetëm një falënderim formal dhe disa fotografi që zgjatën më pak se jehona e faturës së tyre.
Ky ishte një transaksion i pastër biznesi. Paratë e njërit prej popujve më të varfër të Evropës shkuan për të financuar praninë e përkohshme të një personazhi të showbiz-it amerikan.
Por ndërsa qeveria festonte këtë spektakël, erdhi një goditje shumë më e fortë. Jo nga opozita, por nga figura që vetë propaganda shtetërore kishte promovuar prej vitesh si simbol të Shqipërisë moderne.
Në një bisedë të sinqertë me politologen e njohur Lea Ypi, Dua Lipa nuk u shfaq si ambasadore e kartolinave turistike.
Ajo foli si qytetare. Me qetësi, por qartë, shprehu shqetësimin për mungesën e transparencës, konsultimit publik dhe mënyrën se si ndryshohen ligjet në Shqipëri.
Ishte një mesazh që jehoi shumë më tepër sesa çdo fushatë e paguar promovimi. Pesha e këtij reagimi është e jashtëzakonshme.
Dua Lipa nuk është vetëm një këngëtare shqiptare me famë botërore. Ajo është një nga figurat publike më me ndikim në planet. Vetëm në Facebook ajo numëron rreth 88.5 milionë ndjekës, përballë rreth 743 mijë të Kanye West.
Në Instagram ka rreth 88.6 milionë ndjekës, ndërsa West rreth 18.1 milionë. Në Spotify, Dua ndiqet nga mbi 48 milionë përdorues dhe dëgjohet nga afro 69 milionë njerëz çdo muaj.
Ajo ka gjithashtu mbi 25 milionë abonentë në YouTube dhe mbi 13 milionë ndjekës në X. Në çdo platformë, epërsia e saj është dërrmuese.
Por ndikimi i saj nuk matet vetëm me statistika. Fjala e Dua Lipës ka peshë të veçantë mes shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit. Ajo është kthyer në simbol të identitetit dhe krenarisë kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, kritika e saj ka një efekt që nuk blihet me kontrata të majme. Kur një figurë e këtij kalibri refuzon të shërbejë si dekor i propagandës dhe zgjedh të flasë për parime demokratike, çdo investim në imazh humbet vlerën.
Në fund, kontrasti është i qartë. Rama mund të ketë blerë për disa orë praninë e Kanye West me miliona euro nga xhepat e qytetarëve. Por humbi diçka shumë më të vlefshme: besimin dhe distancën publike të një prej shqiptareve më të respektuara në botë.
Dhe kjo është një humbje që nuk kompensohet as me koncerte, as me spektakël, as me fushata propagandistike. \tesheshi.com\


















