Rama: PD nuk i duhet as dreqit

Kryeministri Rama ka reagaur në facebook për situatën politike në vend.

Sipas kryeministrit zgjedhjet do të mbahen me 18 qershorë, dhe PD nuk i duhet as dreqit vet, dhe se pas zgjedhjeve do të ketë një opozitë të re shumë më sfiduese se opozita aktuale.

POSTIMI I KRYEMINISTRIT:

SHENIMI I DITES

Lulëzimi e paska interpretuar thirrjen e Departamentit të Shtetit që gjithë partitë të hyjnë në zgjedhje, si një mbështetje për fantazinë e tij se po nuk hyri PD në zgjedhje, zgjedhjet nuk u bëkan as sipas Shteteve të Bashkuara!

Në fakt e kundërta është e vërtetë. Shqipëria ka zgjedhje në 18 qershor. Dhe askush në botën e logjikës elementare demokratike, as nuk e diskuton fare datën kushtetuese të zgjedhjeve, lëre pastaj Shtetet e Bashkuara, Gjermania apo demokracitë perëndimore në tërësi. Vajmedet ku u katandis partia që lindi nga ëndrra për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa!

Një shtet ku Kushtetuta, mund të trajtohet si peng i partive dhe e drejta e popullit për të zgjedhur, mund të vihet në diskutim sipas interesave të elitave partiake, nuk ka lidhje me botën demokratike. Ky lloj shteti mund të ekzistojë akoma në mendjen e atyre që nuk e lanë Shqipërinë të bëjë shtet serioz, për 25 vjet me radhë, po nuk ka lidhje me Shqipërinë e sotme ku prej 3 vjetësh e gjysëm luftojmë për të bërë shtet. Jo më! Kurrë më!

Mua nuk më habisin fare sot, as ata që e mbajtën për çerek shekulli këtë vend peng të mungesës së vizionit, atdhetarisë, aftësisë së tyre, me keqqeverisjen e me përbuzjen provinciale për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi; as ata që kanë marrë peng kanalet e katundit mediatik me verbërinë, paditurinë e babëzinë e tyre për paranë e zezë; as ata që turren të nxjerrin nga lumi, gurin e këtij budallallëku monumental apo që hutohen, nga thagma e “zgjedhjeve pa opozitën”. Të parët kanë frikë nga drejtësia. Të dytët i tremben tharjes së burimeve të padeklaruara të fitimit, për të bilbiluar e shkarrashkruar në emër të parimeve të demokracisë. Të tretët vijnë rrotull për t’u bërë të rëndësishëm në rrugët e katundit tonë politik apo, thjesht i friken kujtesës së viteve të zymta të rrëmujave, në Shqipërinë pa shtet.

Dhe, megjithë vendosmërinë për t’i dhënë, deri në dekikën e fundit, një shans dialogut dhe kthimit të Partisë Demokratike, në botën e logjikës elementare demokratike, bindem përditë e më shumë për një gjë:

Bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja e disa kryetarë pa parti të ngujuar në çadër për hatër të saj, jo vetëm nuk do ta lerë Shqipërinë pa opozitë në parlamentin e ri, po përkundrazi, ka shumë të ngjarë t’i japë jete një opozite të re, shumë më sfiduese se sa opozita pa kokë, pa program, pa skuadër e pa edukatë që pati parlamenti i sotëm.

Këtu do jemi e do shohim se kush ka të drejtë, po një gjë është e sigurtë: Një opozitë që i friket Reformës në Drejtësi dhe refuzon të paraqitet për gjykim përpara popullit, nuk i duhet jo Shqipërisë, shqiptarëve dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë, po as dreqit vetë!/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne