Rama rrjeshton punonjësit e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Veliajt, mbledhje urgjente në sheshin “Skënderbej”

Pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nën akuzat për korrupsion, kryeministri Edi Rama ka njoftuar një mbledhje emergjente me punonjësit e bashkisë në sheshin “Skënderbej” sot në orën 16:30. Kjo lëvizje vjen mes tensioneve të rritura politike dhe pasigurisë institucionale që ka përfshirë administratën e Tiranës.

Burime pranë qeverisë bëjnë me dije se mbledhja ka për qëllim mobilizimin e strukturave bashkiake dhe dhënien e një mesazhi të fortë pas zhvillimeve të fundit. Kryeministri pritet t’u bëjë thirrje punonjësve të bashkisë për të ruajtur stabilitetin administrativ, ndërsa opozita e ka cilësuar këtë një përpjekje për t’i “rreshtuar në vijë” në funksion të interesave të tij politike.

Më vonë, Rama do të zhvillojë një takim edhe me këshilltarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku pritet të diskutohet situata dhe hapat e ardhshëm pas ndalimit të Veliajt. Javën e kaluar, pas takimeve me nënkryetarët e bashkisë, u vendos që firmën e kryebashkiakut ta delegojë Anuela Ristani, një lëvizje që ka shkaktuar debate dhe interpretime të ndryshme.

Në sfondin e kësaj mbledhjeje emergjente, mbetet për t’u parë nëse Rama do të japë sinjale për emrin e mundshëm që do të drejtojë Bashkinë e Tiranës në vijim, apo nëse situata do të marrë një tjetër rrjedhë politike./gazetaimpakt