Një anketë e re nga Këshilli Danez për Refugjatët (DRC) ka zbuluar se 70% e palestinezëve në Gaza janë aq të dobët nga uria ekstreme, sa nuk arrijnë dot as të shkojnë deri te ndihmat humanitare, ndërsa e gjithë popullsia po shfaq shenja alarmante të kolapsit psikologjik për shkak të asaj që raporti e përshkruan si gjenocid në vazhdim nga Izraeli.
Raporti, i publikuar të hënën, dënon ashpër fushatën e vazhdueshme të dhunës dhe privimit të qëllimshëm nga ana e Izraelit, duke paralajmëruar se strategjitë e mbijetesës së një popullsie tashmë të shkatërruar janë shkatërruar sistematikisht.
Dokumenti detajon efektet tronditëse të sulmeve të ashpra të regjimit izraelit ndaj popullsisë civile të Gazës, bazuar në intervista me qëllim mbrojtjeje, të zhvilluara nga 22 maji deri më 27 korrik 2025, në 25 vendndodhje të zhvendosjes në Deir al-Balah, Khan Younis, Gaza City dhe Gaza Veriore.
“Bazuar në intervistat e mbikëqyrjes së mbrojtjes me banorë të Gazës nga 22 maji deri më 27 korrik 2025, në 25 qendra zhvendosjeje, anketa nxjerr në pah pasojat kërcënuese për jetën nga skema e shpërndarjes së ndihmave të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, si dhe ndikimin e thellë psikologjik mbi një popullatë që nuk ka asnjë vend të sigurt. Gjetjet kryesore tregojnë një popull në pikën e shpërbërjes,” – thuhet në raport.
Sipas raportit, shumica e popullsisë në enklavë është tepër e rraskapitur nga uria ekstreme dhe po u mohohet në mënyrë sistematike qasja e sigurt në ndihmë.
“Palestinezët që kanë tentuar të marrin pjesë në skemën e shpërndarjes së ndihmës së militarizuar, raportojnë se kanë parë persona – përfshirë anëtarë të familjes – që janë qëlluar dhe vrarë qëllimisht nga ushtarët. Ata që kanë humbur jetën në përpjekje për të marrë ndihma janë përshkruar si ‘marrës të ndihmës me gjak’, apo ‘ndihmë e lyer me gjak’,” thuhet më tej në dokument.
Raporti gjithashtu zbulon përmasa të frikshme të zhvendosjes së detyruar. Mesatarisht, çdo person në Gaza është zhvendosur 9 herë, ndërsa disa individë raportojnë deri në 12 evakuime të detyruara, pasi edhe zonat e shpallura “të sigurta” janë bombarduar në mënyrë të përsëritur.
Për më tepër, kushtet në vendstrehimet e zhvendosurve janë tejet të rënda. Sipas të dhënave:
46% e të anketuarve thonë se marrin ujë të pijshëm vetëm dy herë në javë, ndërsa vetëm 28% arrijnë të marrin një vakt të ngrohtë në një kuzhinë komunitare një herë në javë.
Si pasojë e urisë ekstreme dhe zhvendosjeve të vazhdueshme, 33% e popullsisë në Gaza po përjeton probleme serioze të shëndetit mendor, përfshirë ankth të rëndë, depresion dhe tendenca vetëvrasëse, thuhet në raportin e fundit të Këshillit Danez për Refugjatët (DRC).“Palestinezët në Gaza përshkruajnë ndjenja të frikës së vazhdueshme (33%), depresionit (31%), pagjumësisë dhe maktheve (31%), dhe ankthit (26%). Në 13% të rasteve, të anketuarit përmendën ndjenja dëshpërimi të thellë dhe mendime vetëvrasëse,” thuhet në raport.
DRC bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftës dhe i kërkon komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe të vendosura për të mbajtur përgjegjës regjimin izraelit dhe për të mbrojtur civilët në Gaza. Organizata gjithashtu kërkon ndalimin urgjent të programit Gaza Humanitarian Foundation (GHF), i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA, duke e cilësuar atë si të militarizuar dhe të rrezikshëm për civilët.
Në vend të kësaj, DRC bën thirrje për shpërndarje të ndihmës në shkallë të gjerë, përmes një përgjigjeje humanitare të udhëhequr nga OKB, e cila të garantojë qasjen e sigurt, dinjitetin dhe mbrojtjen për popullsinë e rrethuar të Gazës. Që nga fillimi i fushatës gjenocidale të regjimit izraelit më 7 tetor 2023, janë vrarë afro 61,020 palestinezë dhe janë plagosur 150,671 të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë./gazetaimpakt/presstv
















