Të paktën 24 persona janë vrarë nga një shpërthim në stacionin hekurudhor të Quetta në Balochistan, raportojnë mediat lokale.
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur stacionin hekurudhor Quetta në provincën Balochistan, në jugperëndim të Pakistanit të shtunën në mëngjes, duke vrarë të paktën 24 persona, njoftoi Samaa TV, duke cituar zyrtarë. Rreth 60 persona të tjerë janë plagosur nga shpërthimi, disa në gjendje kritike.
Shpërthimi ndodhi pranë një kabine biletash në platformë pikërisht kur dy trena ishin planifikuar të mbërrinin, duke përfshirë Jaffer Express që shkonte për në Peshawar, thanë zyrtarët hekurudhor. Një numër i madh pasagjerësh ishin të pranishëm në platformë në atë kohë dhe autoritetet e Quetta thanë se numri i të vdekurve mund të rritet.
Është shpallur një emergjencë dhe ekipet e shpëtimit kanë nisur tashmë punën në vendngjarje. Një pjese e të lënduarve janë dërguar në Spitalin Civil të Quetta-s dhe qendrën lokale të traumës.
Grupi kryengritës i Ushtrisë Çlirimtare të Balochistanit (BLA) ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin. Organizata u ndalua në Pakistan në vitin 2009 sipas ligjeve të vendit kundër terrorizmit. Në një deklaratë të postuar në mediat sociale, grupi tha se një sulmues vetëvrasës kishte në shënjestër një njësi të ushtrisë pakistaneze për të cilën ata pretendonin se ishte në trenin Jaffer Express që shkonte për në Peshawar pas përfundimit të një kursi në një shkollë këmbësorie.
Forcat e sigurisë kanë rrethuar zonën. Mbikëqyrësi i lartë i operacioneve policore në Quetta, Mohammad Baloch tha në një deklaratë se autoritetet po hetojnë pretendimin e BLA. Ai vuri në dukje se incidenti “dukej si një shpërthim vetëvrasës”, por ishte ende shumë herët për të thënë me siguri. Ai tha se një skuadër për asgjësimin e bombave ka mbërritur në vend dhe aktualisht po punon për të përcaktuar natyrën e shpërthimit.
Pamjet e postuara në internet treguan platformën e mbushur me mbeturina dhe bagazhe, duke përfshirë ato që duket të jenë çanta shpine të ushtrisë.
Balochistani është provinca më e madhe, por më pak e populluar e Pakistanit, shtëpia e projekteve kryesore të minierave dhe pakicës etnike Baloch. BLA ka kërkuar prej kohësh pavarësinë e provincës nga qeveria qendrore në Islamabad. Kryengritësit shpesh synojnë forcat policore dhe ushtarake në rajon, si dhe të huajt, veçanërisht shtetasit kinezë që po ndërtojnë projekte infrastrukturore në Pakistan, si pjesë e Iniciativës së Pekinit “Belt and Road”. Përveç separatistëve, dihet se në këtë zonë veprojnë edhe militantë islamikë. /RT/GazetaImpakt