Vrasja e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja shihet nga zyrtarët e lartë të shtetit e drejtësisë, si një akt makabër që duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit, Për ta, kjo është një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe duhet të shërbejë si kambanë alarmi për kushtet e vështira të sigurisë e të infrastrukturës në të cilat punojnë magjistratët.
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit solli reagimet e krerëve më të lartë të shtetit, politikës dhe institucioneve të drejtësisë. “Një atentat makabër”, e cilësoi presidenti i Bajram Begaj, i cili tha se ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar dhe ndaj drejtësisë duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë.
“Jam thellësisht i tronditur dhe dënoj me gjuhën më të ashpër aktin e pa tolerueshëm të vrasjes në krye të detyrës të gjyqtarit Astrit Kalaja. Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”, shkroi Begaj.
Reagim pati edhe nga Kryeministri Edi Rama, i cili i ka shprehur ngushëllimet familjes së gjyqtarit, ndërsa për autorin kërkon ndëshkimin maksimal. Kryeministri thekson se siguria nëpër gjykata duhet të forcohet, ndërsa po ashtu nuk la pa përmendur as ashpërsimin e Kodit Penal për armëmbajtjen pa leje.
Për ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, ky akt i rëndë kriminal duhet dënuar me të gjithë forcën e ligjit. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka shprehur ngushëllimet për familjen e gjyqtarit, ndërsa thekson se nga policia janë angazhuar ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen.
Opozita nga ana e saj dënuan ngjarjen e rëndë dhe shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi vrasjen si një akt të shëmtuar kriminal dhe dëshmi të qartë të pasigurisë dhe kontrollit të rendit nga krimi. Presidenti i PL-së Ilir Meta shkroi se vrasja e Kalasë është një akt terrorist që godet në zemër shtetin e së drejtës dhe rendin kushtetues.
Për sekretarin e përgjithshëm të partisë së Lirisë, Tedi Blushi, sot krimi nuk vepron më në hije, por godet në dritë të diellit dhe vret brenda sallave të drejtësisë. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci solli në vëmendje se ky bir i Shkodrës në çdo detyrë që mbajti, u veçua për integritetin, përkushtimin dhe seriozitetin me të cilin i shërbeu drejtësisë.
Reagim pati edhe nga prezenca e OSBE-së në Tiranë, e cila theksoi se sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.
Vrasja e në krye të detyrës së gjyqtarit Astrit Kalaja solli edhe reagime nga bota e drejtësisë në vend. Në reagimin e saj Gjykata e Lartë shprehet se kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë e cilësoi ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe sulm direkt ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike. SPAK kërkoi rritje të sigurisë për të gjithë punonjësit e drejtësisë.
Në deklaratën e Gjykatës së Apelit thuhet se ngjarja imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore dhe theksohet se është e rëndësishme ndalimi i gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë.
Në fund të reagimit, Gjykata e Apelit nënvizon se pavarësisht tronditjes nga kjo ngjarje e rëndë, dtrejtësia nuk do të trembet./shqiptarja


















