Reagon AKSHI: U gjendëm nën sulme masive, situata i është rikthyer normalitetit

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) sqaroi opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike.

Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë.

AKSHI thekson se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.

Prej kohësh Shqipëria ka qenë nën vëmendjen maksimale të sulmuesve dhe keqbërësve kibernetikë.

Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale.

Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti, thuhet në njoftimin e AKSHI.

Mëngjesin e sotëm shumë biznese e kanë pasur të pamundur që të lëshonin fatura fiskale. Sipërmarrjet raportuan pranë Monitor se për rreth tre orë kishte probleme në aksesimin e faqes së tatimeve dhe të e-albania.

Bizneset raportuan pranë “Monitor” se fatura mund të prisnin vetëm subjektet që kishin inicializuar arkat përpara se të binte sistemi.

Pas orës 11 të paradites situata u normalizua dhe sistemet rifilluan funksionimin./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne