Franca “shumë e shqetësuar” për planin e Izraelit për të intensifikuar luftimet në Gaza

Franca ka shprehur “shqetësim të madh” pasi Izraeli u zotua se do të intensifikojë dhe thellojë operacionet në Rripin e Gazës. Ministria e Punëve të Jashtme e Francës tha se vendi “përsërit fuqishëm thirrjen për një pushim të menjëhershëm të zjarrit që çon në një armëpushim” dhe dënon “bombardimin sistematik që përsëri ka lënë shumë viktima civile ditët e fundit”.

“Izraeli duhet të marrë masa konkrete për të mbrojtur jetën e popullatës civile në Gaza”, tha ministria franceze. Më tej, ajo përshëndeti rezolutën e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), e cila bëri thirrje për “hapa urgjente” për të lejuar menjëherë “qasjen e sigurt, të papenguar dhe të zgjeruar” të ndihmave humanitare në Gaza.

“Në përputhje me këtë, ne i bëjmë thirrje Izraelit të lehtësojë dërgimin e ndihmave në të gjithë Rripin e Gazës dhe të marrë masa urgjente për të siguruar qasje të plotë, të sigurt dhe të papenguar humanitare”, theksoi ministria franceze. Izraeli ka nisur një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, duke vrarë të paktën 20.915 palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur rreth 54.920 të tjerë.

Sulmi e ka shndërruar Gazën në gërmadha, me 60 për qind të infrastrukturës së enklavës të dëmtuar ose shkatërruar dhe me gati 2 milionë njerëz të zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Tel Avivi është zotuar se do të shkatërrojë Hamasin dhe do të sigurojë lirimin e të gjitha pengjeve të marra gjatë sulmit të 7 tetorit. Disa nga pengjet u kthyen pas një armëpushimi të përkohshëm në muajin nëntor në këmbim të të burgosurve palestinezë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne