Referendumi në Katalunjë

/Redi Muçi/

Sot mbahet referendumi (antikushtetues sipas gjykatës kushtetuese spanjolle) për pavarësinë e Katalunjës. Pamjet e dhunës së aparatit represiv shtetëror spanjoll po tejmbushin hapësirën e rrjeteve sociale. Në kohën kur folklorizmat këtejpari, nën tingujt e xhamadanit, i mbajnë iso, si e si, zgjerimit të njollës “autoktone” mbi Gadishullin e Ballkanit, vlen të hidhet një vështrim mbi ngjarjet në gadishullin e skajit perëndimor të Evropës.

Projekti i Bashkimit Evropian nisi me ogurin e një identiteti të ri evropian i cili tejkalonte identitetet nacionaliste që sollën katastrofat e shek. XX. Kjo nënkuptonte zhdukjen e kufijve për të mundësuar lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore dhe zhdukjen e tarifave për lëvizjen e lirë të kapitalit. Ky kishte për të qenë projekti i mirëqenies dhe zhvillimit të njëkahshëm i të gjitha vendeve anëtare. Nëse ky vizion do ishte materializuar, atëherë përse mëvetësimi i një rajoni të caktuar nga shteti-mëmë do përbënte problem?

Fakti se Katalunja kontribuon me 1/5 e PBB-së së shtetit spanjoll dhe 1/4 e prodhimit industrial, sigurisht që përbën argument për ata që e kundërshtojnë ndarjen. Por vetë projekti i BE-së do duhej të përbënte terrenin për tejkalimin e nevojës së ekzistencës së shteteve-kombe, si konstrukte të shek. XIX-XX të krijuara me rënien e perandorive, me qëllim mbrojtjen e popujve nga fqinjët dhe zhvillimin e mirëqenies së tyre.

Projekti i BE-së nuk i përmbushi pritshmëritë. Ai në fakt ishte një strukturë, e bazuar mbi parime neoliberale, që shërbeu si terren pjellor për përshkallëzimin e spekulimeve financiare deri në momentin e krizës financiare 2007-08. Që këtej e në vazhdim, ka qenë një regjim autokratik për zbatimin e masave shtrënguese në vendet e periferisë (PIIGS). Një prej tyre ka qenë edhe Spanja, e cila i ka përjetuar politikat e shtrëngimit mbi kurriz, sidomos te papunësia në rritje (veçanërisht te të rinjtë) apo te vala e konfiskimeve të shtëpive me kredi të pashlyera nga ana e bankave (kryebashkiakja aktuale e Barcelonës, Ada Colau, e nisi aktivizmin politik pikërisht te lëvizja që kundërshtonte nxjerrjen e familjeve në rrugë).

Në kontekstin e krizës, forcat ‘centrifugale’ – siç i quan Janis Varoufakis-i – po shpërbëjnë jo vetëm BE-në, por siç duket edhe vetë shtetet brenda saj. Përgjigja e së majtës, si në rastin e Brexit-it ashtu edhe në këtë rast, ka qenë respektimi i të drejtës së popujve për të ndërmarrë referendume, por duke mbështetur fushatën kundër shkëputjes, me kusht të detyrueshëm reformimin radikal të strukturave – të BE-së dhe të shtetit spanjoll. Kjo për arsye se në vetvete këto tendenca separatiste nuk priren nga vizione progresiste të shoqërive, por i rikthehen maktheve të identiteve nacionale.

Represioni agresiv i shtetit spanjoll, që në kujtesën e popullit rikthen ngjarjet e përgjakshme të Luftës Civile të ndjekur nga diktatura fashiste e gjeneralit Franko, i fryn pikërisht zjarrit të nacionalizmit. Nëse e majta ia del ta riartikulojë konfliktin në terma klasorë e progresistë, siç ia doli të bënte më 1936, atëherë nga ky ballafaqim i shtetit konservator me të drejtën e popullit për vetëvendosje mund të lindë një projekt i ri. Nëse jo, atëherë…/ OP

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne