Rehabilitohet blloku urban pranë Rrugës së Qelqit në Kombinat, Veliaj: “Ky është mandati i çdo blloku pallatesh dhe i çdo rrugice të Tiranës”

Blloku urban në afërsi të ish-Fabrikës së Qelqit në Kombinat po rehabilitohet nga Bashkia e Tiranës. Përveç rrugëve “Zagoria”, “Jorgo Panajoti” dhe rrugicave të cilat po asfaltohen me të gjitha elementet e infrastrukturës rrugore, Bashkia e Tiranës po ndërhyn edhe në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza, për përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të zonës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi sot punimet në këtë bllok pallatesh, sistemimi i të cilit do të ndihmojë së tepërmi banorët, sidomos me fillimin e vitit të ri shkollor.

“Jam shumë krenar që kemi gjetur mirëkuptim me banorët. Askush nuk ndihet mirë kur i vjen njoftimi për të zhvendosur pak avllinë, por e gjitha bëhet për një qëllim të mirë: Po pati asfalt, trotuare, gjelbërim, ndriçim, dhe kanalizime për ujërat e bardha dhe të zeza, i rritet vlera gjithë zonës. Kjo është një zonë kufitare, ku bashkohet Njësia 14 me Njësinë 6, dhe kjo lidhje fantastike që bëjmë nga rrethrrotullimi i Bulevardit “Migjeni” me Rrugën e Qelqit, vërtet mund të ketë pasur një krasitje të avllive, por fakti se do të kemi një rrugë të drejtë, me cilësi urbanistike, tani që fillon shkolla, unë besoj se është një lajm i shkëlqyer,” u shpreh Veliaj.

Ai tha se ky bllok është një tjetër premtim i mbajtur për banorët. “Dua të shpreh vetëm mirënjohje për banorë. Ka qenë një nga ato projekte ku vërtet është kuptuar thelbi i arsyes pse i bëjmë këto urbanizime. Kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm, ndaj dua të theksoj se Njësia 14 dhe Kombinati na dhanë një besim të jashtëzakonshëm dhe ky besim i jashtëzakonshëm nuk shlyhet me falënderime dhe fjalime, por me punë konkrete, me asfalt, me trotuare, me gjelbërim, me ndriçim, me kanalizime. E kemi filluar këtë kantier fill pas zgjedhjeve për të treguar se nuk do të presim katër vjet për të mbajtur premtimet, por premtimi ynë që ky do të jetë një mandat i rrugëve kapilare, pra i vajtjes deri në ekstrem, dhe sidomos në zonat kufitar,e që ndoshta nuk janë në vëmendjen e hapësirave qendrore të Njësive, do të jetë një premtim që ne duam ta mbajmë me insistim,” deklaroi kryetari i Bashkisë.

Veliaj tha më tej se brenda dy muajve blloku do të jetë gati. “Inxhinierët më informojnë se jemi duke ecur sipas planit, kemi edhe dy muaj punë. Do ta kemi mbaruar këtë bllok para se të fillojnë shirat, ndaj dua që të punojmë me marshin e pestë. Është e shumë e rëndësishme që, teksa njerëzit kthehen nga pushimet dhe përgatiten për shkollën në 11 shtator, të kemi mbaruar pjesën voluminoze të punëve. Pastaj, do të punojmë edhe gjatë natës. Siç e keni parë, gjatë gjithë gushtit kemi qenë në terren, edhe me temperatura të jashtëzakonshme, prandaj i siguroj qytetarët që do të jemi në të gjithë territorin,” u shpreh kryebashkiaku.

Ai tha gjithashtu se ky do të jetë një mandati i lagjeve dhe i gjithë rrugicave./BW

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne