“Reporterët pa Kufij” paraqesin ankesë në GJNP për krime lufte kundër gazetarëve në Gaza

“Reporterët pa Kufij” kanë bërë të ditur se kanë paraqitur një ankesë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) për krime lufte të kryera kundër gazetarëve në Gaza. E paraqitur në zyrën e prokurorit të GJNP-së, ankesa e “Reporterëve pa Kufij” detajon rastet e nëntë gazetarëve të vrarë që nga 7 tetori në Rripin e Gazës, e cila po përballet me sulme ajrore izraelite që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit, si dhe rastet e dy gazetarëve të tjerë që u plagosën gjatë kryerjes së punës së tyre.

Ankesa gjithashtu përmend shkatërrimin e “qëllimshëm, të plotë ose të pjesshëm” të ambienteve të më shumë se 50 mediave në Gaza. Gjithsej 34 gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit, prej të cilëve, siç njofton “Reporterët pa Kufij” të paktën 12 u vranë gjatë kohës në detyrë, dhjetë në Gaza, një në Izrael dhe një në Liban.

“Shkalla, serioziteti dhe natyra e përsëritur e krimeve ndërkombëtare që shënjestrojnë gazetarët, veçanërisht në Gaza, kërkon një hetim prioritar nga prokurori i GJNP-së. Ne kemi bërë thirrje për këtë që nga viti 2018. Ngjarjet tragjike aktuale tregojnë urgjencën ekstreme të nevojës për veprim të GJNP-së”, tha Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i “Reporterëve pa Kufij”.

Kjo është ankesa e tretë e “Reporterëve pa Kufij” drejtuar prokurorit të GJNP-së për krimet e luftës kundër gazetarëve palestinezë në Gaza që nga viti 2018.E para u paraqit në maj të vitit 2018 në lidhje me gazetarët e vrarë ose të plagosur gjatë protestave të “Marshimit të Madh të Kthimit” në Gaza. E dyta u paraqit në maj të vitit 2021 pas sulmeve ajrore izraelite në më shumë se 20 media në Rripin e Gazës.

“Reporterët pa Kufij” gjithashtu mbështeti ankesën e paraqitur nga Al Jazeera për vrasjen fatale të gazetares palestineze, Shirin Abu Akleh, në Bregun Perëndimor më 11 maj të vitit 2022./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne