Rikthimi i mbetjeve toksike në Shqipëri/ “Cenim i sigurisë kombëtare”, PD: Qeveria të informojë Kuvendin, situatë e paprecedentë

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me lajmet e publikuara se mbetjet toksike që dolën nga porti i Durrësit për t’u eksportuar në Tailandë, do të rikthehen prapë në Shqipëri.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se rifutja e kësaj sasie mbetjesh në vendin tonë përmbën cënim të sigurisë kombëtare.

Vetëm dje në disa media shqiptare u shpërnda një reagim (pa zë dhe figurë) i Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit që deklaronte publikisht se mbetjet e rrezikshme që janë nisur nga Shqipëria dhe janë bllokuar në Tajlandë i përkasin kompanisë “Kurum International”. Sot kompania “Kurum International” në një reagim publik ka mohuar se kjo ngarkesë me mbetje të rrezikshme i përket asaj apo është nisur prej saj.

Në këtë rast ka vetëm një të vërtetë. Ose Ministria e Mjedisit ka gënjyer për të mbrojtur trafikantët e vërtetë të materialeve të rrezikshme, dhe në këtë rast ky është një krim shtetëror, që duhet të marrë ndëshkimin shembullor; ose kompania “Kurum International” ka gënjyer për të mbuluar shkeljen e ligjit prej saj dhe kjo duhet të shoqërohet menjëherë me masa të forta ndëshkimi nga institucionet përgjegjëse. Heshtja apo mosveprimi i institucioneve pas përgënjeshtrimit publik nga ana e kompanisë “Kurum International”, ngre hije të forta dyshimi për një tentativë shtetërore për të manipuluar rrethanat e kësaj çështje me impakt kombëtar dhe ndërkombëtar.

Rikthimi në Portin e Durrësit të kësaj sasie të jashtëzakonshme mbetjesh të rrezikshme është një cënim i rëndë i sigurisë kombëtare, që krijon një situatë të paprecedentë të rrezikut permanent ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Depozitimi pa destinacion i një sasie kaq të madhe të mbetjeve të rrezikshme në territorin shqiptar, do të ishte një kërcënim i pamasë ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

Duhet menjëherë dhe pa asnjë vonesë që Qeveria Shqiptare të informojë Kuvendin e Shqipërisë dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, si janë krijuar apo kanë mbërritur në Shqipëri, si janë lejuar të eksportohen pa lejet përkatëse nga Porti i Durrësit, kush i ka lejuar të futen dhe të dalin prej territorit të Republikës së Shqipërisë, nga dhe përmes Portit të Durrësit. Heshtja, dezinformimi apo tentativa për manipulim shton edhe më shumë pasigurinë për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjitha dyshimet për një aktivitet kriminal me leje shtetërore, që rrezikon sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO-s.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që për shkak të një qeverisje kriminale dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës, Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar./Tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne