Rouhani: Gati të negociojmë me SHBA-në vetëm nëse ajo heq sanksionet dhe kërkon të falur

Sipas televizionit shtetëror iranian, gjatë fjalës së rastit të mbledhjen e Këshillit të Ministrave në Teheran, Rouhani iu përgjigj thirrjes së përfaqësuesit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Iranin, Brian Hook, për një marrëveshje të re që përfshin programin bërthamore dhe balistik të këtij vendi.

“Nuk ka asnjë fije dyshimi se pranimi i një kërkese negociatash të imponuar me tirani dhe mashtrime s’do të prodhojë kurrfarë rezultati. Një negociatë e këtillë do të thotë poshtërim dhe dorëzim”, u shpreh ai duke theksuar se SHBA-ja nuk është serioze për sa i takon bisedimeve.

Ruhani potencoi gjithashtu se me SHBA-në mund të ulen të tavolinën e negociatave vetëm nëse ajo u jep fund presioneve dhe kërkon falje për nismat e saj të jashtëligjshme.

“Populli iranian e di mirë se qëndresa është mënyra e vetme kundër nismave ilegale. Negociatat janë rruga që do të përshkohet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha presionet. Sikurse dimë të luftojmë dhe të mbrohemi, ashtu kemi qenë përherë edhe njerëz të negociatave dhe diplomacisë”, tha presidenti iranian.

Ai garantoi se objektivi i SHBA-së për të shumëzuar me zero eksportet iraniane të naftës nuk do të realizohet dhe se Irani do të vazhdojë shitjen e naftës përmes metodave të ndryshme.

“SHBA-ja nuk ka fuqi të monopolizojë tregun botëror të naftës. Amerikanët e kanë gabim në lidhje me këtë çështje. Me këto nisma ata po përndjekin të gjithë popujt e botës, kompanitë e hidrokarbureve, madje dhe vetë popullin e tyre”, vlerësoi Rouhani.

Duke lëshuar kritika gjithashtu për Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, vende që njoftuan se do të mbyllin deficitin e shkaktuar nga embargot kundër naftës iraniane, kreu i Teheranit zyrtar shpjegoi se lideri i përmbysur i Irakut, Saddam Hussein, ka kërkuar mbështetjen e Iranit gjatë pushtimit të Kuvajtit në vitin 1990, por udhëheqësit iranianë e kanë refuzuar këtë kërkesë.

Hassan Rouhani potencoi se Saddami i ka dërguar një letër ish-presidentit iranian, Ali Akbar Hashemi Rafsanjani, të cilit i ka kërkuar që ta mbështesë atë në pushimin e Kuvajtit ose që të heshtë.

“Saddami shkruante haptazi në letrën e tij se do të kishte 800 km kufi të përbashkët me Iranin. Dhe kjo tregon se pas Kuvajtit ai synonte të pushtonte gjithashtu Arabinë Saudite, Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarit. Nëse lideri suprem (Khamenei) dhe i ndjeri Rafsanjani s’do të kishin marrë vendime të prera, sot nuk do të kishte as gjurmë të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, përfundoi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne