Rrëfimi tronditës: si kalojnë paratë e karteleve nga teknologjia izraelite te banka e Kushner dhe fast-food-i global

 

Një rrëfim i publikuar nga Sibel Edmonds zbulon se si krimi i organizuar global nuk mbijeton më përmes dhunës, por përmes teknologjisë, bankave dhe bizneseve të zakonshme. Nga kompanitë izraelite të menaxhimit dixhital te OakNorth Bank dhe ‘pastrimi i parave’ në fast-food në Brazil, ky segment rindërton zinxhirin që kthen paratë e drogës në kapital të ligjshëm. Rrëfimi shërben si hyrje për hetimin mbi Sazanin, interesat e Jared Kushner dhe territoret e mbyllura ku kapitali i errët kërkon strehë…

Segmenti i parëi kësaj analize e sjellë nga Pamfleti për publikun shqiptar bazohet në një material të publikuar në platformën Patreon, pjesë e rrjetit të komunikimit që përdor Sibel Edmonds, ish-përkthyese e FBI-së dhe sinjalizuese e njohur e sigurisë kombëtare amerikane, për të ndarë informacione dhe interpretime që, sipas saj, nuk kanë gjetur hapësirë në median tradicionale. Në këtë rrëfim, vëmendja largohet nga territoret e mbyllura dhe zhvendoset te mekanizmat që e bëjnë të mundur funksionimin afatgjatë të krimit të organizuar global, jo përmes dhunës së drejtpërdrejtë, por përmes teknologjisë, bankave dhe bizneseve që duken krejtësisht të zakonshme.

Termi që Sibel Edmonds përdor është “teknologji mashtruese”, një koncept që nuk ka të bëjë me mashtrime të thjeshta online, por me përdorimin e sistemeve të avancuara dixhitale për të fshirë, zhvendosur ose neutralizuar të dhëna komprometuese nga interneti, arkivat digjitale dhe bazat e të dhënave që përdoren nga bankat, institucionet financiare dhe autoritetet rregullatore. Sipas rrëfimit, kjo teknologji u lejon individëve të lidhur me krimin e organizuar të rindërtojnë një identitet “të pastër”, që kalon filtrat bankarë dhe juridikë, pavarësisht historisë së tyre kriminale.

Sipas Edmonds, këto shërbime janë përdorur nga individë të lidhur me kartelat e drogës në Kolumbi, Ekuador dhe Brazil, jo për t’u fshehur përgjithmonë, por për t’u rikthyer në sistem. Kur një figurë kriminale humbet aksesin bankar, ajo nuk është më e dobishme për rrjetin. Paratë duhet të hyjnë sërish në banka, të investohen, të lëvizin lirshëm dhe të duken të ligjshme.

Edmonds thotë se burime të lidhura me FBI-në kanë sinjalizuar për vite me radhë rolin e disa kompanive teknologjike izraelite në këtë proces. Këto kompani, të cilat publikisht ofrojnë shërbime sigurie kibernetike, menaxhim reputacioni dhe mbrojtje të të dhënave, dyshohet se kanë ndihmuar figura të lidhura me kartelat kolumbiane të drogës të zhdukin gjurmët komprometuese nga hapësira online. Artikuj, regjistra, lidhje arkivore dhe sinjale rreziku zhvendosen ose bëhen të paarritshme, duke krijuar kushtet që këta individë të rihyjnë në sistemin bankar ndërkombëtar si klientë të pranueshëm.

Fjalë-për-fjalë nga transkripti

“…burimi im nga FBI pretendon se përmes kompanive izraelite ishte një marrëveshje e kohëve të fundit… të gjitha të dhënat për këtë tip, Joel Pearlman nga Kolumbia… i mafias së supozuar të drogës apo jo… u fshinë nga interneti… dhe kjo u bë nga një kompani shumë e sofistikuar izraelite, specialiteti i së cilës është kjo…”
(00:00:09,720 → 00:00:14,039 / 00:00:17,559 → 00:00:23,719 / 00:00:36,719 → 00:00:43,880)

Sipas Edmonds, pastrimi i parave nuk nis në bankë, por shumë më herët, në momentin kur një emër ndalon së ekzistuari si rrezik dixhital. Vetëm pasi identiteti është “normalizuar”, hyn në lojë sistemi financiar.

Në këtë pikë të rrëfimit shfaqet OakNorth Bank, një bankë britanike e krijuar për të financuar biznese të mesme dhe projekte zhvillimi. Edmonds nuk e përshkruan bankën si institucion kriminal, por si një nyje funksionale brenda një arkitekture më të gjerë financiare, ku kapitali me origjinë të dyshimtë gjen rrugë për t’u integruar përmes kredive, investimeve dhe strukturave të ligjshme financimi. Emri i OakNorth lidhet publikisht me investitorë të afërt me Jared Kushner, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, një lidhje që sipas rrëfimit i jep bankës një mburojë politike dhe reputacionale.

Teksti origjinal nga transkripti

*“…dhe shiko, shkoj dhe zbuloj se *Oak North Bank, ajo që përdor Jared Kushner për të gjitha këto marrëveshje të ishullit satanik, është partnere me rrjetet e pakapshme të specializuara në teknologjinë mashtruese.”
(00:00:47,960 → 00:01:01,439)

Rrëfimi e krahason këtë model jo rastësisht me një nga skandalet më të mëdha bankare të shekullit XX, Bank of Credit and Commerce International, e njohur si BCCI. Për publikun e sotëm, BCCI është pothuajse e panjohur, por në vitet ’80 ajo ishte një bankë globale me degë në mbi 70 vende. Pas mbylljes së saj në vitin 1991, hetimet zbuluan se banka ishte përdorur sistematikisht për pastrim parash nga kartela droge, trafik armësh, shërbime sekrete dhe regjime autoritare. BCCI nuk ishte thjesht një bankë që shkelte rregullat, por një strukturë e ndërtuar që në fillim për të shmangur kontrollin dhe për të qarkulluar para të paligjshme përmes kanaleve të ligjshme.

Edhe një referencë të drejtpërdrejtë mbi bankën

“… vazhdoj t’ju them njerëz, kjo është, kjo është BCCI e re, Oak North Bank mban të gjitha karakteristikat e BCCI. Zotërohet përsëri nga Jared Kushner…”
(00:18:57,420 → 00:19:08,579)

Pra, modeli strukturor i bankave që operojnë në zona gri, me transparencë të kufizuar dhe mbështetje politike, vazhdon të ekzistojë edhe sot, në forma më të sofistikuara dhe më pak të ekspozuara.

Rrëfimi më pas zhvendoset nga bankat te bizneset e përditshme, aty ku paratë duhet të qarkullojnë pa ngritur dyshime. Një nga shembujt më të fortë që Edmonds përmend janë investimet masive në ekskluzivitete të ushqimit të shpejtë, konkretisht në rrjetin Popeyes në Brazil. Sipas rrëfimit, investime që arrijnë vlera rreth 250 milionë dollarë nuk justifikohen nga fitimet e zakonshme të një biznesi fast-food. Qëllimi real, sipas Edmonds, nuk është shitja e pulës së skuqur, por ndërtimi i një infrastrukture logjistike dhe financiare që gjeneron qarkullim të madh parash, faturime të vazhdueshme dhe justifikime të ligjshme për flukse të mëdha kapitali.

“…Jared Kushner dhe Affinity Partners e tij, investuan mbi 250 milionë dollarë në Brazil për franshizën Popeyes, në rregull? Dua që ju të qeshni me mua këtu njerëz, a ju kujtohet Breaking Bad… zinxhirin e pulave… Kushner po investon në këto resorte multi-miliardëshe… pastaj në të njëjtën periudhë, brenda tre muajve, ata investojnë këto shuma në Popeyes, pulë të skuqur njerëz… supozohet se është pjesë e pastrimit të parave të përfituara për kokainë… mafia shqiptare… përmes porteve të Brazilit…”
(00:02:25,520 → 00:02:29,199 / 00:03:00,680 → 00:03:08,520 / 00:03:04,159 → 00:03:08,119)

Brazili përshkruhet si terren ideal për këtë model për shkak të rolit të tij në tranzitin e kokainës nga Kolumbia dhe Ekuadori. Paratë që burojnë nga trafiku i drogës përzihen me të ardhurat e deklaruara të bizneseve të ligjshme, krijojnë bilance të pastra dhe transferohen më tej në sistemin bankar ndërkombëtar. Në këtë zinxhir përmendet edhe mafia shqiptare, e cila sipas rrëfimit ka luajtur rol kyç në transportin e drogës drejt Evropës, duke shfrytëzuar rrjete të konsoliduara logjistike dhe lidhje të qëndrueshme në porte dhe korridore tregtare.

“Dhe pastaj ke mafian shqiptare, e cila kontrollon anën e transportit, dërgesat, nxjerrjen e drogës nga Brazili dhe Ekuadori drejt Evropës. Ata kontrollojnë portet, kontrollojnë logjistikën. Kjo nuk është diçka e vogël. Këtu flitet për ton, jo për kilogramë.” (00:03:04 → 00:03:12)

“…the Colombians produce it, Ecuador is the gateway, Brazilian ports are used, and the Albanian networks move it into Europe. This has been documented for years, this is not new…”
(rreth 00:03:12 → 00:03:20)

Edmonds nuk e paraqet këtë si një teori filmash apo si fabul kriminale, por si një bashkëjetesë të heshtur mes biznesit të ligjshëm dhe krimit të organizuar, ku marka të njohura ndërkombëtare përdoren si mbulesë për operacione që, nëse shiheshin të izoluara, do të dukeshin krejt normale. Pikërisht kjo normalitet i rremë e bën sistemin të qëndrueshëm dhe të vështirë për t’u goditur.

Ky segment shërben si bazë për të kuptuar se përpara se paratë të shfaqen në projekte të mëdha, investime strategjike apo territore të izoluara, ato kalojnë përmes një zinxhiri të gjatë teknologjik, financiar dhe tregtar, të ndërtuar për të fshehur origjinën dhe për të krijuar legjitimitet.

Rrëfimet e tjera të Sibel Edmonds, që do të publikohen pjesë-pjesë, e zbresin këtë arkitekturë nga niveli abstrakt në terren konkret, duke e lidhur me Ishulli i Sazanit, me interesat e Jared Kushner dhe me mënyrën se si rrjete të krimit të organizuar ndërkombëtar kërkojnë territore të mbyllura, juridikisht të dobëta dhe politikisht të menaxhueshme për të shndërruar kapitalin e paligjshëm në zhvillim të pranueshëm publikisht… (vijon) /Pamfleti

 

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne