Rritet në të paktën 133 numri i të vdekurve nga të shtënat në sallën e koncerteve në rajonin e Moskës

Komiteti Hetues i Rusisë ka bërë të ditur se numri i të vdekurve nga të shtënat në sallën e koncerteve Crocus City në rajonin e Moskës është rritur në të paktën 133 pasi trupa të tjerë u nxorën nga nën rrënojat. Komiteti Hetues tha se sulmi terrorist mori jetën e tre fëmijëve, duke theksuar se numri i të vdekurve me gjasë do të rritet derisa operacioni i kërkim-shpëtimit vazhdon.

Organi hetimor tha se shërbimet e urgjencës vijojnë pastrimin e rrënojave të godinës së sallës së koncerteve, e cila u shemb pjesërisht nga zjarri. Sipas organit hetimor, plagët me armë zjarri dhe helmimi nga produktet e djegies ishin shkaqet më të zakonshme të vdekjeve.

Ndërkohë, të dhënat për numrin e të plagosurve kanë qenë të ndryshme. Ministria e Shëndetësisë në rajonin e Moskës publikoi një listë me 147 persona që u pranuan në kujdesin mjekësor pas incidentit, ndërsa ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, tha se 115 persona u plagosën, përfshirë pesë fëmijë. Ministria e Emergjencave, nga ana e saj, publikoi një listë me 99 të plagosur.

Murashko theksoi se 60 persona janë në gjendje kritike, ndërsa mjekët po luftojnë për jetën e tyre. Qindra njerëz erdhën në qendrat mjekësore për të dhuruar gjak për të plagosurit, me Ministrinë e Shëndetësisë që tha se gjaku do të nevojitet në javët e ardhshme për të trajtuar djegiet.

11 persona të arrestuar, mes tyre katër autorë

Komiteti Hetues i Rusisë po ashtu njoftoi se në rajonin kufitar Bryansk ka arrestuar 11 persona, përfshirë katër autorë, të cilët ishin drejtuar për në Ukrainë. Gjithashtu edhe Forca Federale e Sigurisë e Rusisë (FSB) tha se mësoi se një person tjetër po priste grupin në anën ukrainase të kufirit për të lehtësuar kalimin dhe për të siguruar mbulim.

“Në përpjekje për t’u arratisur, terroristët ishin drejtuar drejt kufirit ruso-ukrainas, kishin planifikuar të kalojnë dhe kishin kontakte në anën ukrainase”, thuhet në njoftimin e FSB-së. FSB-ja tha se grupi paraqiti rezistencë, por në fund u kap dhe u transportua në Moskë për hetime të mëtejshme.

Sipas autoriteteve, një autostradë kryesore që të çon në Ukrainë u mbyll dhe rrugë të tjerë të rëndësishme po monitoroheshin tërësisht. Presidenti rus, Vladimir Putin, e përshkroi sulmin si “një masakër të qëllimshme”, “një ekzekutim demonstrues” dhe “një akt të përgjakshëm të frikësimit”. Ai tha se shërbimet speciale ruse po punojnë për identifikimin e bazës së bashkëpunëtorëve të autorëve të sulmit terrorist./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne