Protesta kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit u kthye në furtunë për Partinë Demokratike pas rrjedhjes së votave-një ngjarje që ekspozon kaosin dhe krizën morale të opozitës sipas analistëve.
Pas humbjes drastike të zgjedhjeve të 25 qershorit, opozita me 43 deputetë e Lulzim Bashës e nisi vjeshtën politike me protestë kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, duke e cilësuar atë “simbol të diktaturës komuniste”.
Ruçi, i cili njihet si ministri i fundit i Brendshëm i Partisë së Punës ka mbajtur role të larta drejtuese përgjatë dy dekadave në Partinë Socialiste, por u kishte qëndruar larg posteve qeveritare.
Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar që u zhvillua të shtunën, Ruçi u votua si kreu i ri i Kuvendit me 80 vota pro, 40 kundër (nga 43 deputetë të PD-së) ndërsa një votë u shënua si e pavlefshme. 19 deputetë të LSI nuk morën pjesë në votim.
Rrjedhja të paktën e dy votave të PD-së në favor të Ruçit mjegulloi aksionin politik duke e vënë në një pozitë të vështirë Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Lulzim Basha të cilit i duhet të gjejë “tradhëtarët” pas votimit të fshehtë.
Protesta kundër Ruçit i ka rrënjët tek simbolika e trashëgimisë antikomuniste të Partisë Demokratike, por rrjedhja e votave është lexuar gjerësisht si një krizë morale e saj.
Pavarësisht asaj që ndodhi në seancën plenare, Basha dhe grupi parlamentar i PD-së iu bashkuan protestës së organizuar nga ish-të përndjekurit politikë përballë parlamentit të shtunën.
“Kjo ditë rëndon dyfish sot kur në parlamentin e dalë nga droga, krimi dhe korrupsioni, u mor vendimi për të zgjedhur jo thjeshtë dhe vetëm, pinjollin e fundit të diktaturës në Ministrinë e Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit…”, tha Basha.
Megjithatë, episodi i së shtunës ka vënë në shenjestër lidershipin e Bashës dhe rrugëtimin politik të opozitës në këtë 4-vjeçar.
Kundërshtarët e Bashës, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu, ish-deputetë të PD-së që ai i la jashtë listës para zgjedhjeve të fundit parlamentare, e cilësuan poshtërues votimin.
“…Mendova se ngjarja ishte aq e rëndë sa turpëronte pafund çdo anëtar të Partisë Demokratike”, shkroi Patozi në një status të gjatë në faqen e tij në Facebook.
Basha dhe disa deputetë të rinj në grupin parlamentar të PD-së u mbrojtën me pretendimin se votat ishin manipuluar.
“Lum si ju që besoni që ata që vjedhin qindra mijëra vota të shqiptarëve, nuk e kanë të vështirë të vjedhin e të tjetërsojnë votat e deputetëve,” tha Basha në një prononcim për mediat.
Pas një mbledhjeje të grupit parlamentar, të organizuar të dielën, Partia Demokratike dënoi përmes një deklarate për mediat “atë çfarë ndodhi me votat e opozitës në Kuvend” dhe paralajmëroi masa ndaj atyre që shesin votën.
PD po ashtu fajësonte shumicën për këtë, duke e cilësuar votimin si një skenar të qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga “emërimi prej Edi Ramës në krye të Kuvendit i Gramoz Ruçit, simbol i të kaluarës së përgjakur të diktaturës komuniste…”.
Por analistët politikë të intervistuar nga BIRN e cilësojnë ngjarjen si “krizë të moralitetit politik brenda PD-së” më shumë se sa si skenar.
Fitim Zekthi, analist politik dhe kandidat për deputet i Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit i tha BIRN se zgjedhja e Ruçit në krye të Parlamentit është dëshmi e faktit se Partia Socialiste nuk ka bërë asnjë reflektim mbi krimet dhe genocidin komunist-madje sipas tij ka pritur momentin për t’i legjitimuar ato.
Megjithatë, ai pohon se rrjedhja e votave ka bërë që mbi grupin parlamentar të PD “të endet si fantazmë hija e dyshimit”.
“Ky akt, qoftë si pasojë e kontrollit me anë të dosjeve të sigurimit nga ana e Ruçit qoftë si pasojë e një veprimi të qëllimshëm të njerëzve që janë në luftë me Lulzim Bashën dhe duan ta shkatërrojnë atë, ka bërë që në grupin parlamentar të endet si fantazmë hija e dyshimit ku gjithkush dyshon tek gjithkush”, tha ai.
“Votimi i tre deputeteve të opozitës për Ruçin si kryetar parlamenti është një akt i pamoralshëm dhe i lig, që e ka futur grupin parlamentar në kaos,” tha Zekthi.
Edhe analisti Arjan Vasjari zgjodhi fjalën “kaos” për të përshkruar sjelljen aktuale brenda PD-së, ndërkohë që votimin e së shtunës e quajti “…shpjegimi më elokuent i krizës së moralitetit politik brenda opozitës”.
“Nuk do të përbënte ngjarje nëse do të kufizoheshim në tre “tradhëtarë”. Problemi është se ata të tre janë ilustrim i një kaosi ideologjik që ka kohë që mbretëron brenda PD; janë prova eklatante e humbjes së referencave historike të opozitës; janë sigurisht edhe mungesë kolaudimi strukturor i trupës parlamentare,” argumentoi Vasjari.
Armand Shkullaku, i cili pati mbështetur protestën e opozitës para zgjedhjeve të 25 qershorit nuk sheh ndonjë dëm të madh të votimi në vetvete, por parashikon përsëritjen e ngjarjeve të tilla edhe në të ardhshmen.
“Për mua, nuk është se i sjell ndonjë dëm më të madh se sa ka pësuar. PD-ja, për mua, ka prekur fundin dhe çdo ngjarje si kjo, e votimit të Ruçit, mund të shërbejë për t’i bërë koshientë ata që janë aty brenda se diçka duhet ndryshuar. Ajo tregon që prapë nuk ka një ndërgjegjësim për humbjen e madhe që u ndodhi në 25 qershor,” tha Shkullaku në një bisedë telefonike për BIRN.
Analistët e shohin rrjedhjen e votave në seancën e parë të parlamentit si vazhdimësi e problemeve të brendshme të Partisë Demokratike dhe paralajmërojnë se ngjarje të tilla mund të ndodhin edhe në të ardhmen.
Sipas Shkullakut, Basha spastroi PD-në nga njerëz që nuk mendonin si ai apo që nuk i kishte nën kontroll dhe bëri “një grup të kryetarit, (i cili) në fakt që në provën e parë ky i ashtuquajtur grup i kryetarit dështoi”.
“Autoritarizmi i kryetarit nuk përkthehet gjithmonë në një grup besnik. Kjo tregon se spastrimi i partisë nuk është një zgjidhje. Përjashtimi i njerëzve që mendojnë ndryshe nuk të jep garanci dhe siguri se mund të kesh gjithçka në kontroll”, thotë ai.
“Nuk mund ta ndërtosh një parti politike, aq më pak opozitën nisur nga besnikëria e njerëzve ndaj kryetarit. Ajo ndërtohet nisur nga ideja që i bashkon këta njerëz. Do të ndeshemi prapë me fenomene të tilla në Partinë Demokratike në vijim,” tha Shkullaku.
Po ashtu edhe Arjan Vasjari beson se situata mund të përsëritet.
“Ka shumë të ngjarë që të jemi përpara një precedenti. Ata të tre që sfiduan linjën politike të partisë për një çështje thellësisht morale, nuk ka arsye që mos ta përsërisin edhe për çështje shumë më politike. Logjika komune parathotë se, rruga e tyre është pa kthim”, përfundoi ai.