RUSËT DHE ARIU

Auron Tare 

 

Profesor Sergej Hrushovi po më priste përpara hyrjes së Universitetit të Rhode Island. Kishte bërë një rrugë të gjatë për ta takuar. Më shtynte një kuriozitet i vjetër: të dëgjoja jo vetëm kujtimet për babanë e tij, Nikita Hrushovin, ish-udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, por edhe se çfarë dinte ai për Shqipërinë – atë vendin tonë të vogël që, sipas zakonit tonë të hershëm, e kemi imagjinuar gjithmonë si boshtin rreth të cilit rrotullohet historia e botës.

Pasi u përshëndetëm, më priu rrugës. Unë e ndiqja menjëherë pas. Profesori i kishte hapat e ngadaltë, por mendjen e kishte të kthellët.

Sapo u ulem, e pyeta për vizitën që babai i tij kishte bërë në Shqipëri.

“E mbaj mend,” – tha. “Isha djalosh, por e mbaj mend mirë. Babai qëndroi rreth tri javë.”

Tri javë! Kjo më u duk një kohë e jashtëzakonshme.

“Çfarë mund të bënte udhëheqësi i një superfuqie në Shqipëri për tri javë?” – e pyeta.

Profesori buzëqeshi.

“Ishte thjesht kurioz. Donte ta njihte vendin. Për më tepër, e pritën me nderime të mëdha.”

Nuk i shpëtova dot tundimit.

“Megjithatë, Enver Hoxha më vonë e akuzoi se donte ta shkatërronte Shqipërinë. Tha se Hrushovi donte t’i linte shqiptarët pa bukë, duke i këshilluar të mbillnin agrume në vend të grurit.”

Profesori qeshi lehtë, me atë të qeshurën e njerëzve që kanë dëgjuar shumë marrëzi politike në jetë.

“Kur po e ndihmoja babanë të përgatiste kujtimet e tij, ai më përmendi Shqipërinë. Nuk e kursente Enverin. E quante mosmirënjohës dhe të marrosur pas madhështisë së vet. Por më thoni, për çfarë arsye do të donte Bashkimi Sovjetik dëmtimin e Shqipërisë? Çfarë interesi kishte? Shqipëria ishte një vend i vogël, për të cilin në Moskë dihej pak,” – pushoi pak dhe, pasi piu një gllënjkë kafe, vazhdoi: “Babai mendonte se klima juaj ishte e përshtatshme për agrume. Mandarinat kishin një treg të sigurt. Grurin mund ta merrnit në shkëmbim. Për Bashkimin Sovjetik, furnizimi i Shqipërisë me grurë nuk ishte ndonjë barrë. Prandaj, akuza se ai donte ta linte Shqipërinë të vdiste për bukë, ishte, në rastin më të mirë, një fantazi politike.”

Koha, siç ndodh rëndom, ka dhënë gjykimin e saj. Sot Jugu i Shqipërisë nuk njihet për parmenda gruri, por për plantacionet e agrumeve që mbulojnë kodrat e fushat.

Pastaj e pyeta:

“Por pse sovjetikët nuk e rrëzuan Hoxhën?”

Profesori më shikoi me sytë e tij blu.

“Biri im, Bashkimi Sovjetik kishte telashe shumë më të mëdha sesa të merrej me Shqipërinë. A mendoni vërtet se nuk mund ta rrëzonin një diktator provincial, nëse do ta kishin ndarë mendjen?”

Kjo bisedë më erdhi ndërmend këto ditë, kur në Tiranë dëgjojmë se pas protestave fshihet dora ruse.

Gjithçka duket sikur historia ka vetëm një zakon: ndryshon dekorin, por lë të njëjtët aktorë.

Dikur thuhej se rusët donin të na shkatërronin me portokalle, sot thuhet se duan të na shkatërrojnë turizmin.

Megjithatë, pyetja e profesorit mbetet sa e thjeshtë, aq edhe e pakëndshme:

 Pse duhet të kishte Rusia një interes aq të madh për Shqipërinë?

 Mos vallë Kremlini nuk fle natën nga vizitat e Kryeministrit shqiptar në Ukrainë?

 Apo nga premtimet e Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar nja dy shkolla atje?

 Mos vallë Putinit nuk po e zë gjumi sepse Zelenski (udhëheqësi i korruptuar sipas agjencive inteligjente të SHBA-së) nderoi mamin tonë me urdhrin e Princeshës Olga?

Nuk jam ekspert gjeopolitike dhe nuk marr përsipër të jap leksione për punët e mëdha të botës. Por një gjë e kam të qartë: fuqitë e mëdha nuk e çojnë dëm energjinë e tyre me mite provinciale. Kur kanë interesa të mëdha, ata veprojnë; kur nuk kanë, na lënë të merremi me hijet që krijon imagjinata jonë.

Shqipëria vuan prej kohësh nga një sëmundje e vjetër: besimi se bota zgjohet çdo mëngjes duke menduar për ne. Është një mendjemadhësi që e kemi trashëguar nga propaganda, jo nga historia.

Çuna, mbase nuk është ariu rus ai që po na trazon pyllin.

Mbase pyllin tonë po e trazojnë më shumë “Çakejtë” tanë, të cilët, sa herë që u mungon një përgjigje për problemet e vendit, nxitojnë të shpikin një armik të largët. Dhe kur pylli zbrazet, kur qytetarët varfërohen dhe besimi shuhet, ata gjithmonë e kërkojnë fajin diku larg… te Ariu./fb

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne