“SAFAHAT” SI SINTEZË E BOTËVËSHTRIMIT TË MEHMET AKIFIT

Milazim KRASNIQI

Botimi i poezisë së Mehmet Akif Ersojit në gjuhën shqipe, ndonëse me vonesë të madhe, është një ngjarje e shënuar, e cila na krijon një mundësi të mirë që t’i njohim nga afër vlerat e veprës artistike të tij po edhe vlerat e mëdha njerëzore të këtij bashkëkombasi të tretur e të harruar për kaq kohë. Vonesa e botimit të këtij poeti në gjuhën e të parëve të tij, ndër të tjera flet për diskontinuitetin që u shfaq si një humnerë ndërmjet kulturës shqiptare e asaj turke, për shkak të rrugëve politike që u ndoqën e që sollën edhe harrimin e vlerave të krijuara bashkërisht ndër shekuj.
Mehmet Akif Ersoji është poet turk, por prejardhja e tij shqiptare e bën që të jetë edhe pjesëtar i vlerave etike dhe kulturore shqiptare. Me këtë kriter, pra të prejardhjes etnike, janë inkuadruar në kulturën shqiptare jo pak personalitete, të cilët poashtu nuk kanë shkruar asgjë në gjuhën shqipe. Me këtë kriter, edhe Mehmet Akifi dhe të gjithë personalitete e tjera që kanë prejardhje shqiptare, duhet të inkuadrohen në memorien e historisë dhe të kulturës sonë, sepse përjashtimi i kujtdo, mund t’i bëjë të kontestueshëm edhe të gjithë të tjerët. Prandaj, edhe Mehmet Akifi është një nga personalitetet që duhet të inkuadrohet në memorien tonë kombëtare. Kjo edhe për arsye praktike, sepse ai nuk është një figurë kalimtare as në letërsi e as në histori, veçse ëshë njëri nga poetët më të shquar të Turqisë dhe njëra nga figurat e dalluara të luftës atdhetare të saj në vitet njëzet, për ç’gjë ai ka fituar nderimin e përhershëm të kombit turk.
Tash që vepra e plotë poetike e Mehmet Akifit është e botuar në shqip, shpresojmë se do të hapet një dialog intensiv i lexuesit shqiptar me këtë poezi, për ta njohur këtë poet të jashtëzakonshëm dhe traditat e vyera të poezisë turke të gjysmës së parë të shekullit XX. Poezia e përfshirë në vëllimin voluminoz Fletët (Safahat), e prezenton Mehmet Akifin si një uragan, të cilin as pengesat jetësore e as ato politike nuk e ndalën asnjëherë. Për receptimin e saj në shqip, na ndihmon si orientues mendimi i Roland Bartit, i cilit thotë se “ ideja që vepra të kuptohet si sintezë (misterioze) e elementeve (racionale), duket se nuk është as e gabueshme e as e drejtë, thjesht kjo është një mënyrë skajshmërisht sistematike dhe e përcaktuar plotësisht në kohë, për të prezentuar gjërat. (Bart: 128) Edhe mendimi i Klaudio Gilenit se “ ekzistojnë një numër shkaqesh për të menduar se letërsia krijon sisteme, ose se shpërfaqet si sistem” (Gilen: 333), na shërben si orientues në vlerësimin e poezisë së Akifit. Vepra poetike Safahat mund të vështrohet si vepër sintezë, apo edhe si sistem, sepse ajo fillim e mbarim përshkohet nga një botëvështrim koherent i autorit të saj, i ndërtuar mbi besimin fetar, angazhimin atdhetar dhe idealin estetik, si bazament të misionit të tij poetik. Në fakt, Mehmet Akifi poezinë e konceptoi si një “zemër që ndjen” dhe që i dedikohet atij që e lexon, nëse atij që e lexon i duhej ajo zemër që ndjen. Prej këndej buron gjithë ai sinqeritet në poezinë e tij, sepse poezia shpërfaqet si fjalë që buron nga zemra. Aspekti kryesor i sintezës së veprës poetike të Akifit shihet në koherencën e botëvështrimit fetar, i cili edhe është çelësi për ta kuptuar angazhimin poetik të tij. Që nga poezia e hershme”Xhamia Fatih”, ndihet prezenca e fuqishme e këtij botëvështrimi, i cili u jep kuptim qiellor edhe objekteve tokësore si në këto vargje:

S’ka zbritur nga qielli, por pa dyshim është qiellore,
Një shfaqje jotokësore, sublime, e frymëzuar. (Ersoj:104)

Edhe në poezinë e fundit të tij, Portretit tim, që nuk ishte e përfshirë te vëllimet e Safahatit, ai e alternon qielloren e tokësoren, duke i kërkuar instancës hyjnore një shërbim tokësor: “O Zot, dhe mos ma kurse nga toka jote një grusht dhe”. * Madje edhe poezi militante si “Lutja e ushtrisë” e cila në vitet 1921-1922, u bë njëfarë himni ushtarak, e ka në vete rrezatimin e botëvështrimit të fortë fetar. Bile edhe poezia “Marshi i pavarësisë”, e cila u bë hymni i shtetit turk, është e ndërtuar mbi atë botëvështtim, sipas të cilit alternohet kjo botë me botën e amshueshme dhe atdheu me Qiellin më të lartë:

Vetëm për një gjë të lutet shpirti im, o Zot, me shpresë:
Në gjoks të këtij tempulli dora e huaj të mos prekë!
Këto ezane me dëshmitë e tyre në themel të fesë
Mbi tokën e atdheut tim të jehojnë përjetë!

Guri i varrit, në paça, të përkulet mijëra herë në dalldi,
Duke më kulluar, o Zot, gjaku i trupit nga çdo plagë,
Më shpërthen nga dheu kufoma si një shpirt i ri,
Atëherë, ndoshta, kryet më arrin në Qiell të Shtatë! (Ersoj: 569)

Prandaj, në rastin e Mehmet Akifit, trajtimi i veprës së tij poetike si vepër sintezë, nuk është vetëm “një mënyrë skajshmërisht sistematike dhe e përcaktuar plotësisht në kohë, për të prezentuar gjërat”, por edhe një procedurë për ta kuptuar atë sa më drejt.
Në këtë konkekst, është e qartë se pas leximit të kësaj poezie, lexuesi e ka më të qartë edhe historinë e kombit turk e edhe të fesë islame në atë vend, në kohën e turbulencave të mëdha, të cilat gati sa e rrënuan kombin turk dhe fenë islame e zvetënuan tej mase. Prej këndej mund të konkludohet se aksioma e poetit ishte “Për fe e Atdhe”, duke i marrë atributet poet islam dhe poet kombëtar turk në të njëjtën kohë. Edhe kur shkruante për aktualitetin, edhe kur kridhej në meditime filozofike për të kaluarën, në bazament të idesë së vet ai e kishte sublimen e fesë islame dhe sublimen e kombit dhe të atdheut të vet. Ky angazhim dramatik i Mehmet Hakifit në mbrotje të fesë, të kombit e të atdheut, është në përpjestim të drejtë me zhvillimet dramatike dhe tragjike që ka përjetuar feja islame dhe kombi turk në tre dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX. Në bazë të formulës së vet “Fe = moral + atdhedhashuri + dije”, ai e ndjeu qartë pulsin e çrregulluar të asaj kohe dhe i dha një shpjegim të guximshëm me poezitë e veta. Krahas talentit dhe guximit personal, këtë ia ka mundësuar edhe ambienti letrar e kulturor i kohës, në të cilin veçmas spikatë dalja e revistës Sebilureshad, në të cilën ai i botoi shumicën e poezive të veta.

Mehmet Akifi ishte poet i angazhuar, duke e konceptuar poezinë e vet si një mjet të ndikimit në përmirësimin e njerëzve dhe të shoqërisë në të cilën jetonte. Zvetënimi i vlerave në shoqërinë e asaj kohe, konfuzioni ideologjik lidhur me novatorizmin dhe konservatorizmin fetar, dobësia e shtetit në raport me armiqtë, motivimi për ngritje morale e materiale, ishin disa nga shtyllat e angazhimit të tij poetik.
Këtë funksion të letërsisë do ta konfirmojë shumë më vonë Cvetan Todorovi me fjalët se “njohja e letërsisë nuk është një qëllim në vete, por është një nga rrugët mbretërore që drejtojnë në përkryerjen e secilit.” (Todorov: 24) Vepra poetike e Mehmet Akifit në fokus e ka pikërisht përkryerjen e njeriut. Poezia “Xhamia Fatih”, është një shtjellim mbresëlënës i kësaj intence, duke e dhënë në fund të saj mesazhin se arritja e qetësisë shpirtërore është shkalla më e lartë e vetërealizimit të njeriut:
——
*** Kjo poezi qe botuar për herë të parë në librin e mikut të Akifit, Eshref Edibit.

Por, ja tek vrapoi mëshira hyjnore
Dhe fryu mbi zemra nga kubeja një frymë:
Fryma e qetësisë shpirtërore (Ersoj: 105)

Në këtë konekst duhet të theksohet se Mehmet Akifi ishte kundërshtar i larpurlartizmit dhe i sterilizmit estetik. Poezinë e shihte si një mjet të emancipimit dhe të përmirësimit moral të shoqërisë e të kombit. Në artikullin me titull ”Letërsia”, të botuar në revistën “Sebilurreshad”, në mars të vitit 1912, duke kontestuar teorinë e artit për art, ndër të tjera shkruan: “ Fundja, këto lloj teorish vihen në rend të ditës dhe pretendohen me qëllim për t’u dhënë lejekalimi dhe popullaritet pornografive të paraqitura si vepra artistike nga ana e një sërë njerëzish mediokër e dashakeqë, të cilët i japin imoralitetit formë filozofike dhe në emër të letërsisë, sulmojnë nderin, jetën dhe ekzistencën e kombit! Jemi ne që besojmë se letërsia ka vatan. Nga ky shkak nuk duam që letërsinë e asnjë vendi ta kopjojmë në vendin tonë! (Ersoj: 68)

Por, kur ndikimi i poezisë i dukej se nuk bënte punë, ai angazhohej politikisht, po edhe praktikisht, madje deri edhe me thirrjet për luftë kundër armiqve të atdheut, sikundër bëri në vitet njëzet. Edhe ky lloj angazhimi është brenda botëvështrimit të tij fetar e estetik, i cili autorin e çliron nga ankthi e nga frika dhe ia kthjellon përmasat e misionit njerëzor. Prejardhja shqiptare e të parëve të tij dhe ndërgjegjësimi për atë fakt, krahas identiteti të tij kombëtar turk, nuk mund të jetë pa ndikim në dramaticitetin e manifestimit të atij botëvështrimi, gjë që edhe evokimi i një episodi të fëmijërisë në poezinë “Xhamia Fatih” e konfirmon qartë.

Shënim
1. shih: Milazim Krasniqi, Lufta ballkanike e filluar në vitin 1912 nuk ka përfunduar ende,(E vërteta e Islamit ndër shqiptarë), Zëri Ynë, Prishtinë, 2006, 93-95
2. Shembulli më klasik është Marin Barleti, i cili në shekullin XVI ka shkruar vetëm latinisht, por mbahet si humanist shqiptar.

Literatura
Akifi Mehmet, Fletët, Logos A, Shkup, 2006
Bart Roland, Knizevnost, semiologija, mitologjia, Nolit, Beograd, 1979
Gilen Klaudio, Knizevnost kao sistem, Nolit, Beograd
Todorov Cvetan, Letërsia në rrezik, Buzuku, Prishtinë, 2007/fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne