Ervin Salianji, ish-deputet i Partisë Demokratike, ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar të anulohet vendimi i Gjykatës së Apelit që e dënoi me një vit burg për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Rekursi është regjistruar në shkallën e tretë të gjyqësorit dhe relatori i çështjes, Sokol Binaj, ka caktuar datën 11 mars për zhvillimin e seancës.
Salianji aktualisht ndodhet në burgun e Fierit që prej 27 shtatorit 2024, pas vendimit të Apelit që la në fuqi dënimin e dhënë nga shkalla e parë. Ky vendim ka ardhur pas shqyrtimit të një audio-përgjimi ku pretendoheshin lidhjet e ish-vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, me trafikun e drogës. Gjyqtarët e kanë shpallur ish-deputetin fajtor për kallëzim të rremë, duke e konsideruar audio-përgjimin si një manipulim të fakteve.
Salianji kërkon që Gjykata e Lartë të shqyrtojë në detaje çështjen dhe të shpallë pavlefshmërinë e vendimit të Apelit, duke hapur kështu mundësinë e një gjykimi të ri./gazetaimpakt