Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE, Edi Rama: Proces inkurajues që do të hapë shtigje të reja për vendet tona për integrimin evropian

Kryeministri Edi Rama, pjesë e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE që po mbahet në Malin e Zi, tha ndër të tjera se ky është një proces inkurajues që do të hape shtigje të reja për vendet tona për t’u integruar në BE dhe në tregun e vetëm të tij. Ai e nisi fjalën e tij me një batutë, duke u shprehur se është i zhgënjyer që Mali i Zi nuk i priti liderët me një mot me diell, por i priti me një shi gjerman. Kryeministri theksoi faktin se ideja që brenda këtij viti mund të sigurohen që transfertat financiare të qytetarëve shqiptarë në BE në Shqipëri, do të jetë shumë më i lehtë dhe pa barrën e shpenzimeve është diçka shumë pozitive.

Ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në Samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, etj. Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dhe liderët e tjerë të rajonit u pritën nga Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić.

Rama: “Së pari do të doja të thoja që jam shumë i zhgënjyer që Mali i Zi nuk arriti të na priste me mot me diell, por na priti me një shi gjerman. Sa i takon të tjerave çdo gjë është në rregull dhe ne jemi gati për një sesion të ri të këtij procesi inkurajues që do të hapë shtigje të reja për vendet tona për t’u integruar në BE    dhe në tregun e vetëm të tij, duke krijuar shanse të reja për njerëzit.

Ideja që brenda këtij viti mund të sigurohemi që transfertat financiare të qytetarëve tanë nga BE në vendet tona, do të jetë shumë më i lehtë pasi nuk do të kemi barrën e shpenzimeve që kanë pasur është diçka shumë pozitive. Sa i takon të tjerave duhet të punojmë.”/tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne