Serif Mardin, “profesori i profesorëve” ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare

Sociologu dhe politologu i famshëm turk, prof. dr. Serif Mardin, është ndarë nga jeta mbrëmjen e së mërkurës në moshën 90-vjeçare, në spitalin ku trajtohej prej një kohe të gjatë në Stamboll.

I njohur si “profesori i profesorëve”, varrimi i Mardinit u bë mesditën e së enjtes, pas faljes së namazit të xhenazes në Xhaminë Yenikoy.

Lindur në Stamboll në vitin 1927, Serif Mardini e nisi arsimin e mesëm në Liceun “Galatasaray” dhe e përfundoi atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u diplomua për shkenca politike nga Universiteti “Stanford” i Kalifornisë në vitin 1948. Ai vazhdoi menjëherë studimet pasuniversitare në Universitetin “Johns Hopkins”, ku përfundoi me sukses masterin për marrëdhënie ndërkombëtare në vitin 1950. Më pas, Mardini u kthye si asistent në “Stanford” dhe në vitin 1958 mbrojti doktoraturën sërish për shkenca politike. Plot 6 vite më vonë, ai mori titullin “profesor i asociuar” dhe në 1969-n atë “profesor”.

Gjatë gjithë karrierës së tij akademike, Mardin punoi në universitete të ndryshme të Turqisë, ku ia vlen të përmenden sidomos Universiteti i Ankarasë dhe “Bogazici” e “Sabanci” të Stambollit. Për më se 10 vite, ai ka drejtuar gjithashtu Qendrën e Studimeve Islame të Universitetit Amerikan të Uashingtonit.

Veprat e tij trajtojnë kryesisht modernizimin e Turqisë, transformimin e saj socio-politik, por edhe binomin politikë-fe duke u fokusuar në periudhën e vonshme osmane dhe të hershme republikane të Turqisë.

Disertacioni i tij për titullin “doktor i shkencave”, me temë “Zanafilla e Mendimit Xhonturk”, u botua nga Universiteti Princeton në vitin 1962.

Në vitet e fundit të jetës së tij, prof. dr. Serif Mardin jepte leksione në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Istanbul Sehir”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne