Rama në izolim total nga administrata e Trump…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë t’i bëjnë dalje Edi Ramës. Edhe pse kryeministri po bën gjithçka që të afrohet me administratën e Trump, nga dita në ditë vijnë sinjale se nuk i ka dhe aq mirë punët.
Shakatë që bën me presidentin amerikan, por edhe takimet në prapaskenë me Alex Soros, padyshim kanë efektet e veta. Por çfarë ka ndodhur realisht?
Ditët e fundit ka qenë në Tiranë për një vizitë zyrtare zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Mark Fleming.
Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, Fleming ka vizituar Prokurorinë e Posaçme, ku është pritur nga kreu i saj, Altin Dumani. Po ashtu, ai ka zhvilluar takime edhe me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari. Fleming është takuar gjithashtu me përfaqësues të opozitës, ndër të cilët Gazment Bardhi, Belind Këlliçi dhe Jorida Tabaku.
Por ajo që bie në sy është se nuk ka pasur asnjë takim me kryeministrin Rama. Nëse kthehemi në kohën e Joe Biden, Rama takonte çdo zyrtar të DASH. Fleming është pasues i Matthew Palmer; kur ky i fundit vinte në Tiranë, viheshin të gjithë në rresht. Takimet me Ramën ishin ndër të parat.
Por vizita e Fleming kaloi pa shumë bujë. Vetë ambasada ka kufizuar njoftimet për shkak të mbylljes së qeverisë në SHBA, por edhe vetë institucionet shqiptare heshtën. Por fakti është që Rama nuk është përfillur. Të paktën deri më tani nuk ka asnjë njoftim për takim.
Që kur ka ardhur Trump në pushtet, Edi Rama nuk ka pasur asnjë takim me zyrtarë të lartë amerikanë. Po ashtu, nuk ka pasur asnjë vizitë zyrtare në SHBA që prej një viti. Për të mos folur më pas për mesazhet që ka dhënë SHBA. Për zgjedhje nuk e uroi askush, ndërkohë që ambasada në shumë raste ka shpërndarë mesazhe të zyrtarëve amerikanë; mesazhe që shkojnë drejtpërdrejt për qeverinë shqiptare. /Pamfleti


















