Bota

SHBA – Pentagoni i dorëzon Turqisë edhe dy avionë të tjerë F-35

Departamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (Pentagon) njoftoi të enjten se ka bërë dorëzimin dhe transferuar në Bazën Ajrore “Luke” të Arizonës një prej dy avionëve të tjerë F-35 të Turqisë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Eric Pahon, bëri me dije gjithashtu se “një avion tjetër do të dërgohet të premten”.

Duke përsëritur shqetësimet e SHBA-së për blerjen e sistemeve ruse S-400 nga Turqia, Pahon tha se për momentin kanë ndërprerë dërgimin në Turqi të materialeve në lidhje me avionët F-35 dhe se nuk ka ndonjëndryshim në lidhje me këtë çështje.

Sa i përket trajnimit të pilotëve turq në Bazën Ajrore “Luke” të Arizonës, zëdhënësi i Pentagonit vuri në pah se “ndonjë ndryshim s’ka as për trajnimin e pilotëve turq” dhe se “trajnimet do të vazhdojnë”.

Kështu, numri i avionëve F-35 në pronësi të Turqisë arriti në katër. Dy avionë F-35, të cilët i qenë dorëzuar Turqisë më herët, gjenden aktualisht në Bazën Ajrore “Luke” të Arizonës, ku pilotët turq janë duke vazhduar trajnimin. Procesi i trajnimit në këtë bazë zgjat 1-2 vjet. Avionët janë caktuar të transferohen në Turqi në muajin nëntor.

Charles E. Summers, një tjetër zëdhënës i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, pohoi gjithashtu se pilotët turq do të vazhdojnë trajnimin për avionët F-35 në Arizonë pavarësisht vendimit të Pentagonit për të pezulluar dërgimin në Turqi të materialeve për këta avionë.

Turqia u bë pjesë e Programit të Avionit Luftarak të Përbashkët (JSF) në vitin 2002 dhe ka investuar mbi 1,25 miliardë dollarë në këtë projekt. Ajo gjithashtu prodhon pjesë të ndryshme për të gjitha variantet e avionëve F-35 dhe shtetet zotëruese të tyre./ trt

OPINIONE