SHBA vendos në “gjendje gatishmërie” mbi 2 mijë trupa për një dislokim të mundshëm në Lindjen e Mesme

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka vendosur në “gjendje gatishmërie” për një disklokim të mundshëm një personel prej rreth 2 mijë trupash në ditën e 11 të konflikteve që vazhdojnë mes Izraelit dhe Palestinës.

Në një deklaratë nga Pentagoni thuhet se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llyod Austin, ka kaluar në “gjendje gatishmërie në nivel të lartë” një personel prej rreth 2 mijë trupash dhe të disa njësive në përgatitje për urdhrin e dislokimit.

Teksa theksohet se aktualisht nuk është marrë ndonjë vendin për dislokimin e ndonjë njësie, në deklaratë transmetohet se Austin do të vazhdojë të vlerësojë situatën për këtë çështje dhe se do të qëndrojë në kontakt të ngushtë me aleatët dhe partnerët e tij.

Po ashtu në deklaratë njoftohet se Austin ka miratuar zgjatjen e afatit të dislokimit për stafin e aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford të Forcave Detare të SHBA-së për zonën Evropë-Afrikë/Zona operacionale e Flotës së Gjashtë.

Në një deklaratë të bërë më 8 tetor nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, u theksua se është dhënë udhëzim për dërgimin në Mesdheun Lindor të flotës së aeroplanmbajtëses me qëllim për të qenë në gatishmëri për ndihmë ndaj Izraelit kundër sulmeve të filluara nga Hamasi.

Po ashtu ishte njoftuar se aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, si dhe kryqëzorët dhe anijet sulmuese shoqëruese, ishin drejtuar drejt Mesdheut Lindor.

Ndërkohë edhe ushtria izraelite me 11 tetor kishte njoftuar se në Izrael mbërriti avioni i parë amerikan i cili transportoi municione të avancuara.

– Konflikti Izraeli-Palestinë

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigada Izzeddin Kassam, nisi sulm gjithëpërfshirës ndaj Izraelit në mëngjesin e 7 tetorit, të quajtur “Tufani i Aksa-së”. Teksa mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit, grupet e armatosura palestineze bastisën dhe morën nën kontroll portën kufitare Beit Hanun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.

Më pas ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza, përfshirë 299 ushtarë kanë humbur jetën 1.400 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.968 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.848 palestinezë ndërsa janë plagosur 10.859 të tjerë. Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 61 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë.

Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 13 gazetarë.

Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne