Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur shqetësimin e tij për raportet e një zgjerimi të planifikuar të pushtimit të Izraelit në Gaza, duke paralajmëruar për më shumë vdekje të civilëve dhe më shumë shkatërrim.
“Mund t’ju them se sekretari i përgjithshëm është i alarmuar nga këto raporte të planeve izraelite për të zgjeruar operacionet tokësore dhe për të zgjatur praninë ushtarake në Gaza”, tha zëdhënësi i shefit të OKB-së, Farhan Haq.
Haq theksoi se planet e raportuara të Izraelit “në mënyrë të pashmangshme do të çojnë në vrasjen e panumërt të civilëve dhe shkatërrimin e mëtejshëm të Gazës”.
“Ajo që është e domosdoshme tani është t’i jepet fund dhunës, jo më shumë vdekje dhe shkatërrim të civilëve. Gaza është dhe duhet të mbetet një pjesë integrale e një shteti të ardhshëm palestinez”, tha Haq, duke përsëritur thirrjen e shefit të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe lirimin e të gjitha pengjeve.
Më herët gjatë ditës, Kabineti i Sigurisë i Izraelit në mënyrë unanime miratoi një plan për të zgjeruar sulmet e vazhdueshme ushtarake në Rripin e Gazës dhe për të pushtuar territoret brenda enklavës palestineze.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se kabineti miratoi “planin operativ” të paraqitur nga shefi i ushtrisë, Eyal Zamir, për të “mposhtur Hamasin” dhe për kthimin e pengjeve izraelite të mbajtur në Gaza.
Sipas zyrës së kryeministrit, plani kërkon që ushtria izraelite “të pushtojë Gazën dhe të mbajë territorin nën kontrollin e saj”.
Transmetuesi izraelit Channel 12 raportoi se plani gjithashtu përfshin zhvendosjen me forcë të palestinezëve nga Gaza veriore në jug të saj.
Të paktën 52.500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza nga sulmet brutale izraelite që nga tetori i vitit 2023.
Nëntorit e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për luftën në enklavën palestineze, Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./AA