Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur “shqetësim serioz” për vendimin e SHBA-së për të sanksionuar katër gjyqtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) me pretendimin për “shkelje kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit”. “Sekretari i përgjithshëm shpreh shqetësim serioz për caktimin e katër gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale që do të sanksionohen sipas urdhrit ekzekutiv nga Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, në një konferencë për shtyp.
Duke vënë në dukje se OKB-ja dhe GJNP-ja “janë institucione të ndara me mandate të ndara dhe të dallueshme”, Haq pohoi se “Kombet e Bashkuara e konsiderojnë GJNP-në shtyllë kyçe të drejtësisë penale ndërkombëtare”. “Sekretari i përgjithshëm respekton punën e saj dhe thekson rëndësinë e parimit themelor të pavarësisë gjyqësore”, shtoi ai.
Javën e kaluar, SHBA-ja njoftoi sanksione kundër katër gjyqtarëve të GJNP-së, përkatësisht nënkryetares së dytë Reine Adelaide Sophie Alapini Gansou nga Benini, gjyqtares Solomy Balungi Bossa nga Uganda, gjyqtares Luz del Carmen Ibanez Carranza nga Peruja dhe gjyqtares Beti Hohler nga Sllovenia./AA