Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka ngritur sot alarmin për rrezikun serioz që paraqet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për sigurinë e të dhënave personale dhe pronat e qytetarëve shqiptarë.
Në një video-mesazh në rrjetet sociale, Shehaj deklaroi se AKSHI ka në dorë çdo informacion jetik për qytetarët, përfshirë të dhënat e pronësisë, shëndetit, biometriket, lëvizjet, gjobat dhe llogarivtë bankare, duke theksuar se ky është një rrezik i madh për çdo qytetar nën dritën e zbulimit nga SPAK se AKSHI kontrollohet nga bandat kriminale.
Shehaj theksoi se sipas hetimeve të SPAK-ut, përmes AKSHI-t janë kryer ndërhyrje të paligjshme në Kadastrën Shtetërore, ku janë ndryshuar pronarë pronash. Ai e cilësoi këtë situatë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pronën dhe sigurinë juridike të çdo qytetari.
“Është e paimagjinueshme që drejtoresha e AKSHI-t, e vendosur në arrest shtëpie dhe e cilësuar nga SPAK si pjesë e një bande kriminale, vazhdon të mbahet në detyrë nga Edi Rama, ndërkohë që ka akses mbi çdo të dhënë të jetës sonë,” u shpreh Shehaj.
Sipas tij, heshtja e kryeministrit Rama dhe mbajtja në detyrë e zyrtarëve nën hetim përbëjnë një rrezik serioz për demokracinë, pasi krijojnë kushte që të dhënat personale dhe pronësore të qytetarëve të përdoren për shantazh, presion apo manipulim.
Shehaj i bëri thirrje qytetarëve të reagojnë dhe të mos e normalizojnë këtë situatë, duke paralajmëruar se sot rrezikohen pronat, ndërsa nesër mund të vihet në rrezik vetë liria personale përmes keqpërdorimit të të dhënave biometrike.
Përgjigja është: Po! Absolutisht, po.
Por jo vetëm kaq. Çfarë është më e rëndë, është që SPAK-u ka zbuluar që, nëpërmjet AKSHI-t, kanë futur duart në Kadastrën, kanë ndryshuar pronarët e disa pronave dhe për këtë po heton SPAK-u.
Është e paimagjinueshme pushteti që ka AKSHI, dhe drejtoresha e Edi Ramës që vazhdon të jetë në detyrë, pavarësisht se SPAK-u e ka vendosur në arrest në shtëpi. Mund të fusin duart kudo! Kanë në dorë pronat tona. Kanë çdo lloj informacioni që ka të bëjë me jetën tonë të përditshme: nga gjendja jonë shëndetësore, sëmundjet, ilaçet, hyrjet dhe daljet në Shqipëri, gjobat që marrim. Çdo lloj informacioni që kalon nëpërmjet AKSHI-t është në dorë të Mirlinda Karçanaj, për të cilën SPAK-u thotë që është pjesë e një bande kriminale. Dhe Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë.
Duhet të zgjohemi! Është skandal ajo që po ndodh. Jeta jonë, jeta e çdo qytetari të Shqipërisë, është në duart e Mirlinda Karçanaj, një anëtare e një bande kriminale, që Edi Rama vazhdon ta mbajë në detyrë./BW


















